Komisioni i Ligjeve, dëgjesa me kandidatët për Komisioner të Mbikëqyrjes së Shërbimit Civil

TIRANË, 11 nëntor/ATSH/ Komisioni për Çështjet Ligjore dhe Administratën Publike zhvilloi sot seanca dëgjimore me kandidatët e vetofruar pas shpalljes së vakancës për Komisionerin për Mbikëqyrjen e Shërbimit Civil, pas përfundimit të mandatit të Pranvera Strakoshës.
Në nisje të mbledhjes, Manja tha se më 13 tetor të këtij viti komisioni shpalli pozicionin vakant të Komisionerit për Mbikëqyrjen e Shërbimit Civil me afat 20-ditor dhe në përfundim të afateve të përcaktuara janë prezantuar 12 kandidatura, nga të cilët Tomi Dedaj nuk është paraqitur në dëgjesë.
Më pas Arian Jaupllari, Artur Mamadhaj, Edvin Morava, Endri Papajorgji, Eros Hoxha, Ermonela Xhafa, Gëzim Allaraj, Irena Nino, Lefterije Lleshi, Lulzim Hamitaj dhe Rozeta Ivanova, pasi paraqitën të dhëna nga eksperiencat profesionale dhe vizionin e tyre në lidhje me pozicionin për të cilën kandidonin, iu përgjigjën pyetjeve të ndryshme të deputetëve.
Në përfundim të dëgjesave, Manja sqaroi procedurën që ndiqet për përzgjedhjen e Komisionerit për Mbikëqyrjen e Shërbimit Civil dhe njoftoi se raporti me kandidaturat që plotësojnë kushtet dhe kriteret ligjore do të shqyrtohet në një nga mbledhjet e radhës së komisionit.
“Ne do të bëjmë një vlerësim siç e thotë rregullorja të përmbushjes të kritereve kushtetuese dhe ligjore dhe meritën e secilit kandidat dhe do t’ua përcjellim pastaj raportin të gjitha grupeve parlamentare të Kuvendit. Secila nga kandidaturat që do të vazhdojnë në fazat e mëtejshme për të garuar për këtë pozicion duhet të kenë mbështetjen e 28 firmave të deputetëve për të vijuar me procedurën e votimit në seancë plenare, për të marrë pëlqimin e shumicës dhe për të shkuar në krye të këtij institucioni”, theksoi Manja.
Manja ngarkoi këshilltarët e shërbimeve të monitorimit të Kuvendit referuar dokumentacionit të secilit prej kandidatëve, por edhe dëgjesës në këtë komision të sjellin një raport të detajuar lidhur me kandidatët që plotësojnë kushtet dhe kriteret ligjore për të vazhduar më tej garën.
“Do ta miratojmë në një mbledhje të radhës të Komisionit për Çështjet Ligjore dhe Administratën Publike së bashku me raportin për kandidaturat për Avokatin e Popullit që do t’i dëgjojmë nesër dhe pasnesër në seancë dëgjimore”, shtoi Manja.
/k.s/j.p/