E Hënë, 2 Nëntor 2026

Balliu: Krimi ka marrë në dorë kontrollin e territorit

TIRANË, 11 nëntor /ATSH/ Deputeti i Partisë Demokratike, Klevis Balliu, reagoi pas atentatit të ndodhur në Rinas, ku mbeti i vrarë Gilmando Dani dhe u plagos Muçi Shaljani.

Balliu e cilësoi ngjarjen si provë të “kolapsit të sigurisë kombëtare” dhe “dështimit të qeverisë për të garantuar rendin publik”.

Balliu theksoi se lidhja e një punonjësi të Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore me personat e përfshirë në atentat “tregon kapjen e shtetit nga krimi”.

“Aeroporti i Rinasit është një objekt me rëndësi të veçantë kombëtare, i mbikëqyrur 24 orë nga policia, forcat speciale, shërbimet e inteligjencës dhe institucionet e tjera të sigurisë. Fakti që bandat kriminale kanë arritur të godasin në mënyrë të përsëritur në këtë zonë tregon se krimi ka marrë në dorë kontrollin e territorit, ndërsa shteti është kthyer në spektator të pafuqishëm”, tha deputeti demokrat.

Balliu theksoi se, “Partia Demokratike e ka paralajmëruar prej kohësh se bandat kriminale kanë kapur çdo qelizë të shtetit shqiptar. Ato kontrollojnë ekonominë, tenderat, zgjedhjet dhe tashmë edhe territorin”.

Sipas tij, krimi i organizuar ka marrë kontrollin e territorit, ndërsa qeveria merret me propagandë.

“PD u bën thirrje qytetarëve “të bashkohen për rikthimin e rendit dhe ligjit në vend”, u shpreh Balliu. e.xh/j.p/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›