E Enjte, 5 Nëntor 2026

Duma: Buxheti 2021 nuk shlyen as “borxhin” ndaj punës së mjekëve dhe infermierëve deri sot

Ish-deputetja e PD-së Grida Duma ka reaguar sot në lidhje me buxhetin 2021 i cili garanton rritje në 40% të pagave për 18 mijë mjekë dhe infermierë duke e cilësuar një mashtrim.

Duma shprehet se, “nëse do të llogarisnim sot vetëm sa i detyrohet mjekëve dhe infermierëve për këto 7 vite ndër më të vështirat të profesionit të tyre, pa asnjë rritje, do kuptojmë që me buxhetin e 2021 nuk shlyhet as “borxhi” ndaj punës së tyre deri sot”.

“Shifrat flasin vetë, janë më kokëfortat. Shqiptarët shpenzojnë më shumë nga të gjithë por shërbehen më pak e më keq se shumë. Rama vazhdon të dërdëllisë se situata në Shqipëri është e njëjtë me vende të tjera. Madje këtë fshehje faktesh vetëbeson se e ka zgjidhje. Por sa herë ai e guxon mashtrimin, ne do qartësojmë faktet; se si ndihma e tij ekonomike është më e ulëta, se si spitalet shqiptare po zhyten në kolaps, se nuk ka asnjë plan dhe vendet e tjera në botë po e trajtojnë këtë krizë me përgjegjësinë që ai nuk e ka”, shprehet ajo.

Po ashtu, Duma shton se “Rama mbulon dështimin me gënjeshtër. Atoparlanti i tij i propagandës të shurdhon veshin e arsyes. Ndërsa shqiptarët nuk morën asgjë nga premtimet për ndihmë reale financiare dhe mjekët e spitalet u dergjën në kolaps. Shifrat të larta ka, ato gjenden në numrat e humbjeve të jetës. Humbja e kontrollit po infekton popullatën. E dimë që askush nuk pret më që Rama të mund të gjejë zgjidhje, sidomos kur vendi lëngon në një ekonomi të varfër e të shkatërruar”

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›