FOKUS – Vendet baltike vendosin sanksione ndaj liderëve politikë gjeorgjianë

RIGA, 2 dhjetor /ATSH-DPA/ – Shtetet baltike të Estonisë, Letonisë dhe Lituanisë kanë vendosur së bashku sanksione ndaj liderëve politikë të Gjeorgjisë në përgjigje të një goditjeje ndaj demonstratave antiqeveritare pro BE në vend, pas zgjedhjeve të kontestuara.
“Tri shtetet baltike ranë dakord së bashku të vendosin sanksione kombëtare kundër atyre që shtypën protestat legjitime në Gjeorgji. Kundërshtarët e demokracisë dhe shkelësit e të drejtave të njeriut nuk janë të mirëpritur në vendet tona”, postuan ministrat e Jashtëm të tre vendeve në X.
Ministri i Jashtëm i Lituanisë, Gabrielius Landsbergis dhe Margus Tsahkna, ministri i jashtëm i Estonisë, publikuan lista identike me emrat e 11 personave të cilëve u ndalohet hyrja në tre shtetet baltike sipas sanksioneve.
Midis tyre janë ministri i Brendshëm gjeorgjian, Vakhtang Gomelauri dhe Bidzina Ivanishvili, themeluesi dhe udhëheqësi miliarder i partisë në pushtet ”Ëndrra gjeorgjiane”.
Ministrja e Jashtme kanadeze Mélanie Joly tha gjatë një vizite në Letoni se Otava do të ndiqte shembullin dhe do të vendoste sanksione ndaj individëve dhe bizneseve të përfshirë në shkelje të të drejtave të njeriut ose korrupsion në Gjeorgji.
Disa demonstrues dhe oficerë të policisë u plagosën në natën e katërt të përleshjeve në Gjeorgji, njoftoi ministria e Brendshme në Tbilisi, mes ndarjeve të ashpra rreth zgjedhjeve të diskutueshme dhe lidhjeve të vendit me Bashkimin Evropian./ /os/