Durana Tech Park, pjesë e Shoqatës Ndërkombëtare të Parqeve Shkencore dhe Zonave të Inovacionit

TIRANË, 17 shtator /ATSH/ Durana Tech Park është tashmë pjesë zyrtare e IASP – International Association of Science Parks and Areas of Innovation, një nga rrjetet më prestigjioze globale në fushën e shkencës, teknologjisë dhe inovacionit.
Ky zhvillim shënon një hap të rëndësishëm për avancimin e ekosistemit të inovacionit në Shqipëri dhe pozicionimin e vendit në hartën ndërkombëtare të zhvillimit teknologjik.
Elira Kokona, drejtoreshë e Korporatës Shqiptare të Investimeve (AIC), tha se pjesëmarrja në Konferencën Botërore të IASP, e mbajtur këtë javë në Pekin, Kinë, i dha Durana Tech Park mundësinë të lidhet me mbi 70 vende pjesëmarrëse, përfaqësuar nga qindra parqe teknologjike dhe qendra inovacioni nga mbarë bota.
“Ky është një moment kyç për pozicionimin e Shqipërisë dhe të Durana Tech Park në një platformë ndërkombëtare të bashkëpunimit dhe zhvillimit teknologjik,” u shpreh Kokona.
Sipas saj, anëtarësimi në IASP i hap Durana Tech Park një sërë mundësish strategjike, si: lidhje me një rrjet global partnerësh, sipërmarrësish dhe investitorësh; promovim i projekteve dhe arritjeve në një platformë ndërkombëtare; akses në praktikat më të mira dhe ekspertizën globale në fushën e inovacionit; pjesëmarrje në evente, trajnime dhe punëtori ndërkombëtare dhe krijimin e mundësive të reja për financim dhe bashkëpunime afatgjata.
“Ky anëtarësim nuk është vetëm një arritje për Durana Tech Park, por një sinjal i qartë që Shqipëria po pozicionohet gjithnjë e më shumë si një aktor serioz në hartën globale të inovacionit”, u shpreh Kokona.
Ajo e cilësoi këtë risi, si sinjal të qartë se Shqipëria po ndërton një identitet të ri ekonomik të mbështetur në inovacion, teknologji dhe bashkëpunim global.
Durana Tech Park hapi dyert në fillim të këtij viti ku mbi 50 kompani shprehën interes për t’u vendosur pranë kësaj qendre teknologjike që ofron mundësi zhvillimi për biznesin dhe lehtësi të shumta fiskale.
Durana Tech Park është një qendër moderne teknologjie dhe inovacioni e ndërtuar për të mbështetur startup-et, sipërmarrjet teknologjike, kompanitë e huaja dhe zhvillimin e talenteve në fushat e teknologjisë, kërkimit shkencor dhe zhvillimit të produkteve të avancuara.
E vendosur strategjikisht midis Tiranës dhe Durrësit, Durana Tech Park synon të bëhet një hub rajonal për inovacion, duke ofruar: Infrastrukturë moderne; Akses në fonde dhe investime; Programe mentorimi dhe edukimi; Mundësi bashkëpunimi me partnerë ndërkombëtarë dhe lokalë. /j.p/
1 nga 4