MOSKË – Kremlini: Rusia nuk shqetësohet nga planet e BE-së për heqjen graduale të importit të gazit rus

MOSKË, 17 shtator /ATSH/ – Kremlini nuk shqetësohet nga planet e Bashkimit Evropian për të përshpejtuar heqjen graduale të energjisë ruse dhe mallrave ruse, duke theksuar se këto masa nuk do ta detyrojnë Rusinë të ndryshojë qëndrim, njoftoi sot zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, sipas Reuters.
Kryetarja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, pas një telefonate me presidentin amerikan Donald Trump, tha se Komisioni do të propozojë një shkëputje më të shpejtë nga importet e karburanteve fosile ruse.
“Vendet europiane gabimisht besojnë se sanksionet mund të ndikojnë qëndrimin e Rusisë. Tre vitet e fundit kanë treguar qartë se Rusia mbron interesat e saj kombëtare pa u ndikuar nga këto masa”, theksoi Peskov.
Ekonomia ruse ka treguar qëndrueshmëri përballë sanksioneve perëndimore lidhur me konfliktin në Ukrainë, megjithatë përballet me inflacion të lartë dhe një deficit buxhetor në rritje, pjesërisht si rezultat i shpenzimeve të shtuara ushtarake.
Pavarësisht sanksioneve, BE vazhdon të importojë mallra dhe energji ruse në vlera miliardëshe, duke përfshirë gaz natyror të lëngshëm dhe uranium të pasuruar, megjithëse importet e naftës dhe gazit rus kanë pësuar rënie të ndjeshme. /Ad.Ab./