Murinjo: “Interi dhe një tjetër rivale për titull”
“Kur flas o them gjëra të vërteta o nuk flas...” Ky është Hoze Murinjo, trajneri i Interit. “Nuk dua të them kurrë gënjeshtra. Në këtë moment Kuarezma e Pele janë lojtarët tanë. Nuk do t’i thërras për ndeshjen kundër Sampdorias”. Murinjo vazhdon të jetë edhe më i sinqertë: “Unë dëshiroja Lampard, nuk është një sekret, por nuk mund të jem më i lumtur se me Muntarin. E kam harruar absolutisht Lampardin”. Tekniku zikaltër flet edhe sulmin: “Krespo, Kruz, Adriano e Ibra janë katër sulmuesit, Baloteli është sulmuesi i vijës së dytë”. Murinjo beson se Ibra mund të luajë në të gjitha ndeshjet. “Pasi ai dëshiron të luajë. Dua ta bëj një shembull. Ai do të luajë edhe për Suedinë. E respektoj teknikun e Suedisë, dhe ai më respekton mua e për këtë arsye e mbron në ndeshjet miqësore. E po ashtu dhe unë. Kemi nevojë të bashkëpunojmë. Nuk i kam thënë kurrë një lojtari tim ‘nuk do të luash në kombëtare’ dhe nuk do ta bëjë kurrë”.
Sot Inter do të luajë kundër Sampdorias në ndeshjen e parë të kampionatit italian dhe objektivi i Murinjos është fitorja në Gjenoa. “Nga nesër (sot) do të fillojë nj maratonë që do të mbarojë në maj. Një ndeshje nuk do të thotë asgjë, duhet të fitojmë shumë ndeshje, të barazojmë disa dhe të humbasim pak. Në kilometrat e para do të jemi të gjithë bashkë, Juve, Milan, Roma e Fiorentina, me një vrimë prej 500 metrash që i ndan nga të tjerat. Në prill do të jemi ne dhe dy të tjera. Në maj ne dhe një tjetër. Por që të gjitha skuadra të mëdha”.
30 Gusht 2008