E Shtunë, 31 Tetor 2026

Duro: Humbja 4-2? Kësaj radhe është ndryshe

SHKRUAN: Jeton Selimi 24-03-2011 11:50

Mesfushori që luan në radhët e LASK Linz shprehet se kuqezinjtë do të synojnë vetëm fitoren të shtunën

“Atëherë ishim në vitin 2007, ndërsa tani jemi në vitin 2011. Kanë kaluar 4 vjet. E thashë dhe më lart, asnjë ndeshje nuk është e njëjtë me tjetrën. Shpresojmë që ata dy gola që kemi bërë atë ndeshje t’i realizojmë edhe këtë herë dhe bazohemi edhe tek një gjë pozitive e jona, që nuk jemi një ekip që pësojmë shumë gola. Kjo ka qenë një nga pikat tona më të forta,” shprehet Klodian Duro gjatë konferencës së djeshme për shtyp. Sipas tij, kombëtarja jonë nuk duhet ta nënvlerësojë aspak Bjellorusinë dhe duhet të fokusohet vetëm tek rruga e rrjetës, pasi, “rusët e bardhë” janë një ekip që nuk pëson shumë gola. “Kundërshtari është për t’u vlerësuar sepse ende nuk ka pësuar gol në këto eliminatore, kur janë luajtur 4 ndeshje. Duke ditur që neve na duhet fitorja, kjo është një nga armët e tyre kryesore. Të mos pësosh gol nga ekipe si Franca, Rumania apo Bosnja, do të thotë se ky ekip ka vlera. Dhe kjo ka për të qenë detyra jonë më e vështirë, që të shkojmë drejt golit sepse për që të fitosh, duhet të shënosh,” filozofon mesfushori elbasanas, që kërkon të fshijë satastikat, sidomos kur dëgjon nga goja e gazetarëve se kundërshtarët e radhës kanë 11 vjet që nuk mposhtohen në muajin mars. “Statistikat ju shërbejnë ju gazetarëve, pasi unë nuk i shoh statistikat. Besoj se kjo vlen edhe për Bjellorusinë. Shpresoj që marsi të jetë mbarësia jonë dhe të thyejmë këtë tabu,” shprehet ai. Në fund, Klodian Duro komenton edhe rikthimin e Skelës, që sipas tij është një armë më shumë në lojën e skuadrës sonë përfaqësuese. “Çdo lojtar që grumbullohet në kombëtare ka vlerat e veta. Skela i ka dhënë shumë ekipit kombëtar dhe dihet që të gjithë ne që jemi këtu duam të japim maksiumin me fanellën e Shqipërisë duke nisur nga unë i pari e deri te futbollisti i 22-të. Por është trajneri ai që i di më mirë këto gjëra,” e mbyll prononcimin e tij Duro gjatë konferencës për shtyp të ditës së djeshme.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›