Duro: “Lihteshtejni, koalidim kundër Suedisë”
Shqipëria do të luajë të mërkurën kundër Lihteshtejnit ndeshjen e dytë miqësore brenda vitit 2008, pas asaj të humbur me Poloninë (0-1), takim i luajtur në Reutlingen Gjermanisë.
“Ky takim edhe pse luhet kundër një kundërshtari të lehtë në letër na shërben për parë gjendjen e grupit përpara ndeshjes eliminatore me Suedinë. Shpresojmë që të gjithë të bëjnë një ndeshje të mirë, edhe si ndeshja e parë përballë publikut tonë, por edhe të jemi sa më entuziastë kundër suedezëve dhe për ta pagatitur sa më me qetësi ndeshjen kundër tyre. Duhet të përqendrohemi maksimalisht, që përveç lojës së mirë të arrijmë edhe rezultat”, - thekson Klodian Duro, mesfushori i Omonia Nikosias në kampionatin qipriot. “Do të kemi tri ndeshje rresht para publikut tonë përfshirë Lihteshtejnin, Suedinë e Maltën, kështu që kërkojmë rezultat pozitive në tre tatimet, ku ai kundër Suedisë do të flasë shumë edhe për ecurinë tonë në eliminatoret e Kampionatit Botëror”. Klodian Duro gjendet një formë të shkëlqyer fizike. “Kam rreth dy muaj e gjysmë që përgatitem. Kam nisur shumë herët fazën përgatitore te Omonia dhe përveç miqësoreve të shumta kam luajtur edhe tri ndeshje në Kupën UEFA ku si ekip kemi arritur tri fitore. Ndihem shumë mirë”, - shton ish-mesfushori i Tiranës. Omonia Nikosia fitoi së fundi me AEK-n e Athinës, pikërisht në kryeqytetin grek. “Sa shanse kemi për t’u kualifikuar në turin e tretë të Kupës UEFA? Rezultati i ndeshjes së parë (1-0) na bën optimistë se do ta kalojmë me sukses edhe ndeshjen e dytë. Jemi të përqendruar dhe shpresojmë të kualifikohemi. Ky është dhe objektivi i klubit”. Duro pohon se Omonia është përforcuar me lojtarë që vijnë nga kampionatet më të mira europiane, përfshirë lojtarë që kanë luajtur më parë në Spanjë e Gjermani. “Shpresojmë që këtë vit të kalojnë turin e dytë edhe Anorthosis Famagusta i Arjan Beqajt në Ligën e Kampioneve, por dhe Apoel i Altin Haxhit në Kupën UEFA. Për të thënë të vërtetën investohet shumë për futbollin në Qipro, madje po rivalizojmë ekipet më të mëdha greke edhe në tregun e lojtarëve. Tani është më i fortë kampionati qipriot se ai grek. Unë kam qenë para tetë vjetësh në Qipro kur luaja për Vllazninë, dhe shoh ndryshime të mëdha, duke filluar jo vetëm nga ambientet, por dhe nga niveli i futbollit, përfshirë edhe pagesat e larta ndaj lojtarëve. Ka një interesim real për futbollin”.
Lala: “Skelës ia rregulloj unë”
Altin Lala shfaqet i qeshur në ambientin e hotelit, edhe pse në Gjermani mediat e atjeshme bluajnë tërë ditën kundër tij. Mesfushori shkatërrues i Hanover 96 me ndërhyrjen e tij e nxori jashtë loje Zhermën Xhonsin e Shalke 04, duke i hequr këtij të fundit mundësinë për të luajtur me Gjermaninë në miqësoren kundër Belgjikës. “E pashë ndeshjen të përsëritur në televizion. Nuk ishte një ndërhyrje aq e rëndë, madje takat e këpucëve të mia nuk e kishin prekur fare Xhonsin”, - thotë Lala. Hanover humbi 3-0 në transfertë me Shalken, por më këtë rezultat e pësoi edhe Energi Kotbus i Ervin Skelës me Hofenhajmin, madje në shtëpi. “Edhe unë si Skela? Mos të ketë merak, ia rregulloj atij ndeshjen e radhës”, - qesh Lala. Të premten në mbrëmje, vetëm dy ditë pas ndeshjes së Kombëtares, Hanoveri dhe Energi Kotbus do të luajnë midis tyre në javën e dytë të Bundesligës. Trajneri Han e ka gjetur zgjidhjen. “Secili do të luajë nga 45 minuta kundër Lihtenshtejnit”.
Salihi: “Jam në formë, shpresoj te goli”
Hamdi Salihi është një nga dy sulmuesit e thirrur nga trajneri Ari Han. Shkodrani ndihet në formë në kampionatin austriak, ku ka shënuar deri tani 2 gola në kampionat dhe 2 gola në Kupën e Austrisë për skuadrën e tij SV Ried, me të cilin luan sezonin e tij të tretë, ose më saktë dy kampionate e gjysmë pasi u transferua nga Tirana te SV Ried në janar të vitit 2007. “Ndihem mirë dhe po shënoj. Shpresoj të vazhdoj kështu”, - thotë Salihi, i cili ka realizuar vetëm një gol me kombëtaren, pikërisht në një miqësore në fitoren 3-0 kundër Maltës, por dhe një gol në fitoren 3-1 të Shqipërisë kundër zviceranëve të Shafhauzenit. “Normalisht puna jonë matet me gola. Duhet të shfrytëzojmë çdo rast e kundërshtar për të shënuar sa më tepër gola, për të treguar se jemi të aftë të bëjmë gola dhe në rang kombëtaresh. Shpresoj që të shënoj kundër Lihteshtejnit”, - thotë shkodrani, i cili ka shënuar deri tani në total 20 gola për SV Ried në 54 ndeshje të aktivizuara në kampionatin austriak.
20 Gusht 2008