Duro: “Nga Rivaldo te Robinjo, në mes Ibra”
Në luftë kundër të mëdhenjve. Nga Rivaldo në Athinë te Ibrahimoviç në Tiranë, e më pas kundër Robinjos në Mançester. Nëse në turin e dytë eliminator të Kupës UEFA kundër grekëve të AEK-ut, Klodian Duro la në hije një kampion të madh si braziliani Rivaldo, në raundin e parë kundër Sitit, do të jetë përballë një tjetër ylli brazilian, Robinjos. Por më parë 30-vjeçari i 19-herë kampionëve të Qipros, do të luajë të shtunën për Shqipërinë kundër Zlatan Ibrahimoviçit. Duro ishte një ndër shtatë golashënuesit e shqiptarë të eliminatoret e Euro 2008-s. Goli i tij i fundit në Kombëtare ishte ai kundër Bullgarisë në barazimin 1-1 në Tiranë (eliminatoret e Euro 2008), një silurë e devijuar Kishishev në minutën e 32-të, gol që u barazua nga Berbatov në minutën e 82-të, ku në fund të ndeshjes Ervin Skela humbi edhe një penallti në minutat e fundit. Bullgaria e Berbatovit tani është një e kaluar, teksa Suedia është në radhë...
Duro, ditët drejt përballjes kundër Suedisë, po numërohen mbrapsht. Ju keni qenë pjesë e formacionit në takimin e fundit kundër tyre të mbyllur me fitoren 2-1. Tashmë, nuk flasim më për një miqësore, ku edhe mund të eksperimentosh, por për një ndeshje zyrtare dhe për më tepër të parën. Sa për statistikë, dua t’iu kujtoj se në tre fushatat e fundit eliminatore kemi marrë rezultat pozitiv: 1-1 kundër Zvicrës (Euro 2004, trajner Dosena), 2-1 kundër Greqisë (Botërori 2006, trajner Brigel) dhe 2-2 kundër Bjellorusisë (Euro 2008, trajner Bariç). A do të kemi edhe kësaj radhe një premierë pozitive edhe me Hanin?
- Besoj se edhe kësaj radhe, ashtu siç i kemi hapur eliminatoret në gjashtë vitet e fundit, do të bëjmë një gjithçka për të marrë rezultat të mirë. Mendoj se do të jemi në gjendje të bëjmë një futboll cilësor e t’ia bëjmë sa më të vështirë punën Suedisë, e pse jo të arrijmë edhe një fitore. Fitorja do të ishte për një dritë jeshile për ecurinë në grup, pasi në ndeshjen e dytë kundër Maltës, ku kërkojmë vetëm fitoren. E kemi bërë këtë kundër Greqisë para katër vjetësh dhe e kemi parë të gjithë se çfarë feste është bërë jo vetëm në Tiranë.
Flitet për një presion psikologjik për shkak të emrit të madh që ka Suedia. Sa e ndjeni ju personalisht këtë?
- Për të qenë i sinqertë, kemi respekt për Suedinë, por jo se ndihemi në një presion të jashtëzakonshëm që do të ndikonte për keq. Duke vlerësuar edhe faktin se shumica e lojtarëve tanë luajnë prej vitesh në kampionate cilësore në Europë e kundër ekipeve me lojtarë të mëdhenj, mendoj se jemi të aftë për të përballuar këto emocione negative.
Në vështrimin tënd kjo Kombëtare në raport me ato të mëparshmet, është më e fortë apo më e dobët?
- Mendoj se Kombëtare ka një grup të mirë lojtarësh, me futbollistë që kanë dhënë e po japin për këtë fanellë. Gjithsesi, është e vështirë për të dalluar se kush është ekipi më i mirë. Kemi pasur shumë periudha të mira në kohën e (Hans Peter) Brigelit, ashtu si dhe me (Oto) Bariçin, ku herë pas here kemi arritur të bëjmë një grup të fortë. Baza e lojtarëve ekziston dhe jemi një grup i fortë. Elementët e rinj janë duke u bashkangjitur mirë me ne më të vjetrit. Megjithatë, duhet shumë punë që brenda një edicioni të krijojmë bazën.
Në tre ndeshje ndaj Suedisë asnjëherë nuk ka munguar goli. Kemi humbur 2-1, 3-1 e kemi fituar 2-1. A do të ketë gol sërish kundër tyre?
- Këto janë statistika që vlejnë në një farë mënyre. Përgjithësisht ne kemi shënuar ndaj ekipeve, përfshirë edhe kundër Holandës (2-1, gol i Currit). Besoj se një gol do ta kemi kundër Suedisë, për të ruajtur edhe traditën, por marrja e tri pikëve do të ishte maksimumi. E kemi këtë të drejtë në Tiranë.
Le të kthehemi te klubi juaj, Omonias. Pas një asisti e një penalltie të humbur kundër shqiptaro-maqedonasve të Milanos, erdhën edhe dy golat e mëdhenj kundër AEK-ut, dy gola që sollën edhe kualifikimin historik të Omonias në raundin e parë të Kupës UEFA. Si i ka përjetuar Duro?
- Është vërtet një gjë e mrekullueshme që kaluam turin, si për ne si futbollistë, por në mënyrë të veçantë për qytetin e Nikosias.
Nuk kishte ndodhur asnjëherë të shkojmë kaq larg në një kompeticion evropian. U hodh një hap cilësor për historinë e klubit. Kam festuar gjatë bashkë me të tjerët, kam marrë shumë urime edhe nga shqiptarë që jetojnë në Qipro.
Pas ndeshjeve me Kombëtaren kundër Suedisë e Maltës, do të jesh përballë Mançester Sitit, klub i blerë së fundi nga sheikët arabë.
- Është bukur të luash kundër Mançester Sitit, një nga klubet me emër në Premier Ligë dhe nga më të bujshmit në merkaton verore. Pa dyshim që do të jetë shumë e vështirë.
Nëse kundër AEK-ut luajte kundër Rivaldos, tani te Siti do të jesh kundër Robinjos. Një rastësi e këndshme apo jo?
-Të luash në ndeshje ndërkombëtare, pa dyshim që do të kesh dhe fatin të përballesh me lojtarë të këtij kalibri që kanë dhënë shumë për futbollin evropian dhe në atë botëror. Këto përballje të nxisin që të japësh maksimumin, pasi ndiqen nga ekspertë, por dhe menaxherë të shumtë. Përballesh me ekipe me emër, por ke kënaqësinë që kundërshtarë ke këta lojtarë.
5 Shtator 2008