Skela: “Një gol për ty Kris”
Dash Frashei
Ervin Skela ruan kujtime të dyfishta nga ndeshja e fundit me Suedinë katër vjet më parë, ku kontrasti është bardhezi: shënoi një gol, por dhe humbi në fund një penallti në miqësoren e fituar 2-1. Fantazisti 31-vjeçar ka dhënë kontributin e tij futbollistik për 11 klube gjatë karrierës së tij 15 vjeçare (2 në Shqipëri, 1 në Itali e 8 në Gjermani), qysh kur luajti për herë të parë me Flamurtarin e Vlorës më vitin 1992. Mesfushori këmbëartë, një prej 19 lojtarëve të huaj të Energi Kotbusit (skuadra me më shumë të huaj në Bundesligën 1), është golashënuesi më i mirë kuqezi në grupin e lojtarëve të thirrur nga trajneri Han për ndeshjet zyrtare kundër Suedisë e Maltës: 9 gola, një më shumë se Bogdani (8) dhe dy më shumë se Kapllani (6), ose një gol më pak se Tare (10) e Sokol Kushta (10), ky i fundit një tjetër autor goli kundër Suedisë në humbjen 1-3, në vitin 1999. Një gol i pritshëm, që Skela do t’ia kushtonte të djalit të tij: Krisit, 1-vjeçar. Por nuk dëshiron të harrojë as nënën e tij, Alfreda, të atin, Vironin, por edhe vëllain Ardianin. “Jam shumë i lidhur me familjen. Çdo moment i lumtur i imi, i bën dhe ata të lumtur. Në çdo moment të keq që kam pasur më kanë dhënë gjithmonë kurajo”.
Skela, ke shënuar gol në ndeshjen e fundit kundër Suedisë. Për fat të keq, humbët edhe një penallti. Si e kujtoni atë gol kundër Isaksonit, i cili do të mbrojë edhe portën suedeze të shtunën?
- Mesa më kujtohet ishte një top i ardhur nga e djathta nga (Florian) Myrtaj, Igli Tare sulmoi shtyllën e parë, ndërkohë që topi mbërriti te shtylla e dytë, kam bërë një sprint prej gati 30 metrash nga mesi i fushës. E ndjeva këtë, dhe në momentin që erdhi topi, e stopova vetëm një herë dhe e godita direkt me të majtën. Isha dhe me fat, pasi topi kaloi midis duarve të portierit (Isakson), i cili edhe mund ta priste atë. Fatmirësisht shënova gol. Ishte momenti i barazimit 1-1. Më pas (Adrian) Aliaj shënoi golin e fitores (2-1) me faull. Një gol me të vërtetë i bukur. Një eurogol.
Në ndeshjen e parë kundër Bjellorusisë (2-2) për eliminatoret e Euro 2008-s, shënove golin e parë për Shqipërinë. Çuditërisht, edhe kundër Zvicrës (1-1, Murati) e Greqisë (2-1, Murati, Aliaj), golat janë shënuar nga mesfushorët apo mbrojtësit, ashtu si kundër golin e barazimit në Minsk kundër Bjellorusisë e realizoi Besnik Hasi. Jeni golashënuesi më i mirë në grupin e lojtarëve të thirrur, a do ta presim golin e dhjetë të Ervinit kundër Suedisë.
- Çdo lojtar kur futet në fushë e mendon golin. Madje edhe mbrojtësit kërkojnë që të shënojnë. Dua të ndihmojë zoti, të jem së pari në formën time më të mirë, e pa dyshim edhe të shënoj. Kryesorja është që ne të prezantohemi si ekip në fushë, të bëjmë shumë për njëri-tjetrin, atje ku janë dhe momentet më decizive në ndeshje. Të vrapojmë, të dyluftojmë e të mos u lëmë zona bosh suedezëve gjatë 90 minutave. Rëndësi nuk ka kush shënon. Nëse do të jem unë do të jem shumë i lumtur. Të shënosh me fanellën kuqezi është një sadifaksion i jashtëzakonshëm. Ai që ka luajtur e luan futboll e di se çfarë peshe ka goli e si ndihet lojtari kur topi pushon në rrjetë.
Lojtarët tanë luajnë në kampionate të forta: Gjermani, Francë, Itali dhe janë ndër më të mirët në Ukrainë, Qipro. E ndjeni presionin ndaj Suedisë?
Jemi në një stad të tillë, ku lojtarët e ekipit Kombëtar luajnë prej vitesh në Europë. Kanë një mentalitet të fortë. Ne jemi ndeshur kundër lojtarëve më të njëjtin nivel me suedezët, apo më të mirë se ta. Në Itali, Bogdani është ndeshur shumë herë kundër Zlatan Ibrahimoviçit, apo Loriku në Francë kundër Kallstromit (Lionit), ashtu si unë në Gjermani kundër Rozenbergut të Verder Bremenit. Ne luajmë në shtëpi dhe të paktën atmosfera është në favorin tonë. Në këtë ndeshje duhet të jemi një grup i vetëm: ne në fushë, tifozët në tribuna.
Në Kombëtaren shqiptare dominon “Gjermania”, me 4 lojtarë, ju te Kotbusi, Lala (Hanover 96), Kapllani (Karlsruhe) e Hyka (Mainc). Si janë marrëdhëniet me “shtetet” e tjera?
- Të mrekullueshme. Flasim shumë hapur me njëri-tjetrin, madje në fushë nuk ngurojmë të themi edhe të metat, pasi të gjithë kemi ardhur për t’i shërbyer Kombëtares. Me Lalën, Bogdanin, Canën, Beqajn, kemi më shumë kohë së bashku. Me Kapllanin, me të cilin ndaj edhe dhomën në hotel (“Tirana International), kuptohet që komunikoj më shumë. Mondi është një sulmues i talentuar. Rritet në çdo ndeshje.
Hyka, më i riu i familjes gjermane?
-Për Hykën u gëzova shumë që erdhi në Gjermani. Ishte momenti i duhur, kur ai duhej ta largohej nga Shqipëria. Është një klub me shumë emër e me një tifozllëk të jashtëzakonshëm. Jahmiri ka cilësi shumë të mira, por i duhet të punojë shumë se vetëm talenti nuk mjafton. Te Mainc 05 ka konkurrencë të madhe. Duhet të jetë i durueshëm, pasi vjen nga një vend si Shqipëria. Të jetë i vetëdijshëm se në çdo ndeshje në Gjermani presin shumë prej teje. I ka të gjitha mundësitë të bëjë një karrierë të mirë në Gjermani.
I vetëm kundër tre serbwve
Energi Kotbus është ekipi më me shumë të huaj në Gjermani: 19, ndërkohë që dominon klani serb me tre lojtarë. Por si janë marrëdhëniet e Skelws me ta? “Raporte shumë të mira, si midis futbollistëve të një ekipi. Nuk kemi pse të kërkojmë ndasi. Futbolli nuk ka të bëjë shumë me politikën. Nuk dua të komentoj shumë”.
“Si e kujtoj Angela Merkelin”
Sezonin e kaluar Ervini ishte heroi i Energisë. Madje mediat ia dedikojnë atij mbijetesën: shtatë gola, gjashtë asistë. Por skuadra nga ish-Gjermania Lindore ka një tifoze të veçantë: kancelarin gjermane Angela Merkel. “A e kam takuar ndonjëherë atë? Po. Në ndeshjen kundër Borusias së Dortmundit. Zonja Merkel zbriti në fushë dhe na takoi të gjithëve. Më dha dorën si të tjerëve, madje më foli, duke më përmendur edhe emrin. Kancelarja është anëtare e klubit dhe dërgon gjithmonë mesazhe kur fitojmë. Vitin e kaluar na dha shumë fat. Askush nuk e besonte se do të mbijetonim në Bundesligën 1”.
Skela pwr trajnerwt e kombëtares ...
...Dosenwn
“Dosenën mund të flas shumë pak. Në momentin që erdhi Dosena unë kisha luajtur vetëm dy ndeshje miqësore, një në Kosovë për gati 15 minuta e një me Breshian në Tiranë, vetëm 3 minutat e fundit. Në dy ndeshjet zyrtare me Zvicrën e Rusinë, nuk kam qenë i grumbulluar. Mund të flas shumë pak për dy seancat stërvitore që kam zhvilluar me të. Me aq sa pashë mendoj se ka qenë një trajner me shumë bagazh taktik”
...Brigelin
- Më thirri me ekipin Kombëtar. Ajo ka qenë edhe periudha ime më e mirë. Një trajner gjerman, i cili e ndiqte natyrisht kampionatin gjerman. Kam qenë atëherë në karrierën time më të shkëlqyer. Luaja për Eintrahtin e Frankfurtit (2001-2004) ku dhe shkëlqeva (26 gola në 92 ndeshje) e bëra hapin e madh. Brigeli më dha shumë besim, por ishte dhe grupi që me ndihmoi jashtë mase. Ishte një trajner me vlera, sidomos për anën e disiplinës e atë organizative.
... Bariçin
Një trajner që dinte të lexonte shumë mirë një ndeshje. Dinte të kapte të gjitha pikat e dobëta e të mira të secilit lojtar. Një motivues i madh.
... Ari Han
Është një trajner, i cili kërkon një lojë tipike holandeze. Lojë ofensive. Qarkullim e mbrojtje të topit, por dhe shpejtësi në sulm. Kemi zhvilluar vetëm dy ndeshje me të. Një e kemi humbur (me Poloninë) dhe tjetrën e kemi fituar (me Lihtenshtejnin). Është shpejt për të dhënë një gjykim, por nuk diskutohet që është një emër i madh.
Zidan e Kaka, idhujt e Ervinit
“Ai që ka qenë modeli im, e ka lënë tashmë futbollin. Zinedin Zidan. Por nga lojtarët aktualë. Nuk e di, ka shumë yje bota... Por, lojtari më i mirë që unë kam luajtur kundër tij ballë për ballë ka qenë Kaka. Kam luajtur kundër tij kundër Askolit, Pavarësisht se aventura ime zgjati shumë pak në Itali luajta në ‘San Siro’ si kundër Milanit ashtu dhe kundër Interit, luajta shumë mirë. Kam marrë nota të mira. Më vjen keq, që nuk arrita të tregoja talentin tim në Itali. Përballë meje në ndeshjen kundër Milanit ishin Andrea Pirlo, Rino Gatuzo e Masimo Ambrozini”.
Brez i artë, nga Strakosha te Tare
“Për shumë vite kanë qenë në momentet e tyre më të mëdha. Arritëm fitore madhështore kundër Greqisë dy herë (2-0 në vitin 2000 e 2-1 në vitin 2004), kundër Rusisë (3-1). Igli Tare ka qenë një figurë e madhe e ekipit kombëtar. Kishte një personalitet i madh. Besnik Hasi kishte të njëjtat vlera. Erdhi nga ekipi i Anderlehtit. Me të folurën e tij ka qenë për ne lojtarët e mesfushës një ndihmë e madhe. Foto Strakosha, Alban Bushi, gjithashtu. Bledar Kola ka qenë një virtuoz i madh e me klas të veçantë. Edhe Edvin Murati, Altin Haxhi janë emra të mëdhenj të futbollit tonë. Të rinjtë e sotëm kanë shembuj të mëdhenj përpara tyre.
5 Shtator 2008