Politika si fisnikëri
Nga Alba Çela
Kuvendi presidencial i Partisë Demokratike amerikane këtë vit në Denver ofroi një spektakël të vërtetë për sytë e miliona njerëzve që për ditë me rradhë u ngulën në ekranet që përcillnin pamje nga festa e vërtetë e demokracisë. Fjalimet mbresëlënëse, pjesmarrësit entuziastë, organizimi i përkryer, parullat, fishekzjarret, muzika, ngjyrat dhe entuziazmi habitën ndjekësit e këtij evenimenti në mbarë botën. Megjithatë elementi më i bukur i javes së këtij Kuvendi nuk ishte asnjë nga gjërat e sipërpërmendura. Aspoekti më i bukur dhe më frymëzyes i këtij Kuvendi ishte në periferi të gjithë organizimit të Partisë demokratike Amerikane dhe vinte pikërisht nga kandidati rival republikan, John McCain. Në një mesazh përgëzues për senatorin Obama, John Mc Cain me një zë të qetë dhe fjalë të thjeshta e të natyrshme shprehte gëzimin e tij që pas 45 vjetësh Obama po realizonte ëndrrën e një profeti të demokracisë dhe të drejtave të njeriut, Martin Luther King. McCain pa shumë pompozitet por me një fisnikëri për tu admiruar i thoshte Obamës “Nesër ne do të jemi në garë sërisht por deri atëherë, punë e paqme senator!”
Ky gjesti i mrekullueshëm uniteti dhe mirëkuptimi, dashamirësie dhe respekti ishte në fakt pika kulmore e një jave të mbushur me shfaqje të tilla fisnikërie . Hillary Clinton, rivalja më e ashpër e Obama-s deri pak javë më parë, ishte mbështetësja e tij më e artikuluar në këtë Kuvend. Në po të njëjtin rol burri i saj, presidenti i madh amerikan, Bill Clinton la mbas fërkimet dhe hatërmbetjet e fushatës për ti dhënë kurajo senatorit Obama, duke e krahasuar atë me jo më pak sesa veten e tij. Gjatë cdo fjalimi ku u përmend John McCain para cdo kritike të drejtuar eksluzivisht programit të tij dhe jo karakterit, u theksua patriotizmi dhe atdhedashuria e senatorit të Arizonës dhe ish veteranit të luftës së Vietnamit.
Është pikërisht kjo fisnikëri politike që është celësi për të shuar kuriozitetin dhe habinë e shumë prej shqiptarëve që me të drejtë nuk mund të kuptojnë pse politika është kaq argëtuese dhe frymëzuese në SHBA dhe jo këtu tek ne. Është celësi për të kuptuar gjithashtu se cfarë gjejnë ata mijëra amerikanë të rreshtuar në shkallët e stadiumit aq tërheqëse, aq inspiruese, aq shpresëdhënëse te ky Kuvend saqë kanë lënë shtëpitë, punët, kanë udhëtuar dhe janë rreshtuar aty duke brohoritur, duartrokitur, duke u përlotur dhe duke buzëqeshur e thirrur me gjithë zemër për zgjedhjen që kanë bërë, për besimin që kanë dhënë. Gjasat janë që në Kuvedin e Republikanëve në Minesota muajin tjetër do të shohim përsëri të njëjtat simptoma të këtij entuziazmi, të njëjtin kujdes për të respektuar rivalët, për të prioritizuar unitetin kombëtar dhe për të theksuar ndryshimet në bindje dhe program.
Sigurisht që edhe mitingjet e partive tona në Shqipëri kanë bujën dhe spektaklin e tyre. Por gjithmonë kur i krahason duket se mungon sinqeriteti, mungon shkëndija, mungon ai besim qoftë edhe paksa naiv te ndryshimi, tek mundësia për të dhënë shpresë, mungon vëmendja tek fjalimet, tek përmbajtja e tyre që demonstrohet thjesht me duartrokitjet dhe brohorimat që vinë vend a pa vend dhe jo mbas një fjalie vërtete të bukur ose të fuqishme.
Kjo në vetvete nuk përbën ndonjë habi në kontekstin e zhgënjimit me politikën në Shqipëri dhe të militantizmit të atyre që zakonisht venë nëpër mitingje dhe rradhiten me zell në rreshtat e parë. Gjithsesi është një fenomen që duhet dhe mund të ndryshohet së pari duke i dhënë këtyre kuvendeve, kongreseve dhe takimeve publike një natyrë më të përafërt me atë natyrë festive që demonstruan demokratët në Denver. Por kjo nuk mjafton. Ajo mund të ndryshohet vetëm nëse nxjerrim një mësim nga Kuvendi Demokrat në SHBA dhe nga sjellja e aktorëve politikë atje. Dhe ky mësim është fisnikëria politike. Viti 2009 mund të jetë viti elektoral i radhës ku përmes një lojë të frikshme përbaltjeje politika mund të vazhdojë të përcajë votuesit. Por mund të jetë dhe viti ku në një garë për mendjet dhe zemrat e shqiptarëve fillojmë të respektojmë njëri tjetrin. Fillojmë të tregojmë elektorati shqiptar se përvec cinicizmit, hidhërimit, makutërisë, fyerjeve dhe shpifjeve, talljeve dhe dhunës në politikë ekzistojnë dhe ndjenjat pozitive, ekziston humanizmi, respekti dhe përmbajtja, kreativititeti dhe frymëzimi. Vetëm atëherë kur politika të bëhet fisnike ajo do të rreshti së qënuri një shënjestër përcmimi dhe zhgënjimi por do të fillojë të jetë një burim entuziazmi. Ashtu si ne Denver…
2 Shtator 2008