E Shtunë, 31 Tetor 2026

Libri i ditës: Shqipëria - Një realitet i gjymtuar

Prof. dr. Shaban Sinani

(Refleksion mbi librin studimor “Torzioni i qenies”)

Libri “Torzioni i qenies” i studiueses Jolanda Lila është një sprovë për të sqaruar raportet mit-poezi në veprën e një krijuesi me rëndësi parësore në historinë e letërsisë së re shqipe dhe njëherësh dhe për të dekodifikuar e lehtësuar leximin masiv të vetë poezisë së tij, duke marrë shkas prej pranisë së simbolikës mitologjike, parë kryesisht në vëllimin antologjik “Litari i ankthit” (2002). Autorja ka identifikuar një nyje themelore në poezinë e Ali Podrimjes: praninë e simboleve mitologjike, antike e të mëvonshme, legjendare e historike, të huaja e etnike. Dhe kjo është një nyje që i jep asaj mundësi ta studiojë në tërësinë e vet krijimtarinë e poetit. Kjo sepse shkalla e kushtëzimit të poezisë së Podrimjes prej simbolit mitik është gati si shkalla e kushtëzimit të një parateksti me tekstin. Por mbi të gjitha sepse e gjithë poezia e tij mund të lexohet si poezi simboliste, pavarësisht se autorja nuk merr përsipër t’i përgjigjet kësaj pyetjeje, e cila gjendet jashtë objektit të studimit të saj. Në kreun e parë, ku paraqitet ana teorike e çështjes, përkufizimi teorik i simbolit dhe i raporteve me shenjën, qoftë kjo e identifikueshme, qoftë e mjegullt a hermetike, autorja jep siguri për formimin e saj shkencor për të përballuar nismën e vet. Duke bërë dallimin terminologjik midis tri shkallëve të simboleve mitologjike: simboleve si shenja identifikuese (ose simboleve konvencionale); simboleve si shenjime lidhjesh metafizike të së dukshmes me të padukshmen (apo simboleve aksidentale e kontekstuale); deri te shkalla e simboleve universale dhe arketipale, ajo ia lehtëson vetes kërkimin e mëtejshëm. Kjo plotësohet me kreun vijues “Metodologjia dhe motivimi studimor”, ku në fillim evokohen studimet e paraardhësve për cilësimin e poezisë së Ali Podrimjes si një poezi e mbështetur fort mbi simbolikën mitologjike, si në rrafshin gjinor, ashtu dhe në shkallën e tekstit. Në të vërtetë, ajo i shton kësaj tradite studimesh dhe një rrafsh tjetër, atë të shëmbëlltyrës, qoftë mitologjike apo biblike. Me këtë rast nuk mbetet jashtë vëmendjes së studiueses dukuria që shoqëron një poezi të tillë, mjegullimi sipërfaqësor i kumtit në receptim, varësisht prej nivelit kulturor të lexuesit, që e bën studimin jo vetëm shkencërisht çkodifikues, por dhe plotësues të një kërkese pragmatike. Se si do ta arrijë këtë, ajo shprehet në mënyrë të drejtpërdrejtë: duke kërkuar ndihmën e gjuhësisë moderne dhe duke u mbështetur në teoritë bashkëkohore për mitin… Kreu i dytë titullohet “Përftesa të simboleve mitologjike” dhe ka për qëllim të gjejë një shpjegim pse poezia e Ali Podrimjes sundohet cilësisht prej pranisë së shumëllojtë të miteve: në formën e evokimit të drejtpërdrejtë, në formë të transmodeluar, në formë të rikuptimësuar, në formë të çmontuar, në formë të ironizuar, deri te përmbysja e shenjimit zanafillës. Çështja trajtohet jo vetëm në anën e poetikës, por dhe si një pyetje antropologjike… Në kreun e katërt me të drejtë bëhet objekt i trajtimit shkencor kronotoposi si një përmasë e vetme hapësirë-kohë dhe si pajtim i universales me lokalen. Të dhënat e burimit të miteve të përthirrura në poezinë e Podrimjes, pa dyshim janë sintetizuar pas një pune të gjatë “të nëntëshme” të autores… Në përfundim, theksojmë se studimi i Jolanda Lilës është përgatitur me përgjegjësi shkencore, dëshmon përgatitje teorike e njohje praktike, ka trajtime origjinale dhe të guximshme, pasuron literaturën shkencore për njohjen e realiteteve letrare dhe meriton vlerësim maksimal.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›