E Shtunë, 31 Tetor 2026

Duro, pas “muajit të mjaltit” në fushën e vërtetë



Klodian Duro do të prezantohet zyrtarisht të premten si lojtari i ri i AEL Limasol. Lajmi u publikua faqja e njohur qipriote Protathlima.com., që nga ana e saj thekson se ish-mesfushori shqiptari i Omonia Nikosias do të ketë më përpara një takim “kokë më kokë” me drejtuesit e AEL-it, përpara se të hedhë përfundimisht të “zezën mbi të bardhë”. Parimisht, si lojtari ashtu dhe klubi qipriot, kanë rënë dakord mbi kushtet financiare, por martesa e Klodianit dhe “muaji i mjaltit” të tij në Greqi e Francë, shtyhu si firmosjen e kontratës ashtu dhe prezantimin e tij zyrtar. Sipas Protathlima.com, Duro është në Francë dhe pasi të kthehet në Shqipëri do të marrë avionin për të mbërritur në Qipro. AEL Limasol do të jetë klubi i dytë qipriot për Klodian Duron, pas atij të Omonias, ndërkohë që ish-lojtari i Tiranës ka luajtur më parë dhe në Turqi e Gjermani. Në fakt, ditët e fundit u fol edhe për një lëvizje të mundshme të Duros te Apollon Limasol, por një nga drejtuesit e lartë të klubit tjetër qipriot, Friksos Savidhis, tha se ai vetë “nuk ishte në kontakte as me Duron dhe as me menaxherin e tij”, duke theksuar se midis tij dhe mesfushorit shqiptar nuk ekziston asnjë “lojë”. Duro vlerësohet si një lojtar me shumë eksperiencë, që do ta ndihmojë shumë AEL Limasolit, që nënshkroi një kontratë dyvjeçare me shqiptarin. Duro, i cili dha një kontribut jo të vogël te Omonia Nikosia, sidomos në Kupën UEFA (3 gola të tij), do të jetë lojtari i tetë i blerë nga AEL Limasol në merkaton verore, ku tre janë qipriotë dhe pesë të tjerë të huaj. Ndeshja e parë miqësore e AEL-it është ajo kundër Anorthosis Famagusta të Arjan Beqajt (ende i dëmtuar), më 17 korrik 2009.

Kanavaro: “Mjaft me histori plakushësh!”

“Mjaft me këto histori plakushësh, tani është shndërruar në modë. Nëse ju krijoj bezdi, vendi imë në Kombëtare është në dispozicion të tjerëve, por këtë e vendos Lipi”. Fabio Kanavaro reagoi ashpër ndaj atyre që e akuzojnë Kombëtaren italiane si shumë të vjetër në moshë dhe pa asnjë motivim. “Unë nuk jam këtu vetëm se kam ngritur Kupën e Botës”, - shtoi kapiteni 36-vjeçar “azurr”, në bordin e çarterit që solli skuadrën e Lipit nga Johanesburgu në Itali. Ish-lojtari i Realit të Madridit flet edhe sulmuesin Antonio Kasano. “Nuk është aspak e vërtete që grupi nuk e dëshiron”. Mbrojtësi Xhanluka Zambrota beson se garda e vjetër e atyre futbollistëve që arritën ta shpallnin Italinë kampione bote tri vite më parë në Gjermani, do mund ta ringrenë skuadrën “axurre” në vendin që i takon: “Është e vërtetë që ndeshjet kundër Egjiptit, Brazilit dhe Kombëtares amerikane nuk i kemi nisur siç duhej, por kjo nuk do të thotë që cikli i kësaj përfaqësueseje ka përfunduar. Unë jam 32 vjeç, por nuk ndihem aspak i vjetër. Gjatë kësaj periudhe gjërat nuk kanë shkuar ashtu siç ne shpresonim, tani duhet të nxjerrim mësimet tona nga humbja me Brazilin dhe të punojmë për t’u përgatitur sa më mirë për ndeshjet në vijim”, ka përfunduar Xhanluka Zambrota. Sulmuesit italian i Bajernit të Munihut, Luka Toni, ndihet i turpëruar pas figurës së shëmtuar që bëri Italia përballë Brazilit: “Kemi bërë një paraqitje të shëmtuar. Gjatë Kupës së Konfederatave shumë prej nesh nuk gëzonin një formë të mirë – ka shpjeguar sulmuesi italian, – por tani duhet të përveshim mëngët në mënyrë që për ndeshjet e tjera të paraqitemi në një formë më të mirë. Për mendimin tim, cikli i kampionëve të botës nuk ka përfunduar, pastaj me vete kishim edhe 10 futbollistë të rinj. Nuk besoj se problemi i Italisë është te të rinjtë, apo te të vjetrit. Më e rëndësishmja është që të gjithë ata që luajnë duhet të jenë mirë si fizikisht, ashtu dhe psikologjikisht”, - thotë Toni. Ish-legjenda e futbollit italian, Xhixhi Riva, e ka komentuar me tone shumë pesimiste humbjen e shëmtuar të të kaltërve përballë Brazilit: “Nuk e prisja një humbje aq të thellë. Italia duhet të nxjerrë leksione nga ai turpërim. Brazili pas golit të tretë e lëshoi lojën, na dhuroi më shumë hapësira, por megjithatë ne nuk ishim në gjendje të përfitonim. Kjo Itali nuk e meritonte kualifikimin për në raundin tjetër. Italia ka talente, por nuk është e lehtë t’i integrosh ata në përfaqësuese. Besoj se ka ardhur momenti i duhur që boshtit të vjetër të lojtarëve t’i bashkëngjiten të rinjtë”.

24 Qershor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›