E Shtunë, 31 Tetor 2026

Duro “tremb” Danimarkën: “Shqipëria është rritur”



Mesfushori Klodian Duro është një nga lojtarët më me përvojë në listën “Kuzhe”, një nga ata që trajneri kroat beson shumë në cilësitë e “polivalentit” të gjysmëfushës ofensive. Lojtari Apollon Limasolit në Qipro beson se ndaj Danimarkës, Shqipëria nuk hyn në lojë me kujtimet e humbjes 3-0 në sfidën e Kopenhagenit. “Danimarka është një ekip që kërkon impenjim të madh, sepse jo më kot është kryesuesja e grupit. Ata janë një skuadër e organizuar, por ne mund t’ia dalim mbanë. Ndryshe nga përballja e fundit me ta ku humbëm 3-0, por në fakt zhvilluam edhe një lojë të dobët, Shqipëria këtë herë ka ndryshuar shumë. Me ardhjen e trajnerit Kuzhe, skuadra funksionon më mirë dhe vetëbesimi është rritur, sidomos pas fitores fantastike me Qipron. Shqipëria tani ka dalë jashtë objektivave që kishte këtë edicion, por gjithsesi, mendoj se kemi motivimin e duhur për të marrë një rezultat pozitiv”, - tha Duro në konferencën e djeshme për shtyp, të mbajtur në rezidencën e Kombëtares. Kundër Qipros, Klodi pavarësisht se nuk realizoi nga pika e bardhë, kur rezultati ishte 3-1 për Shqipërinë, bëri një ndeshje shumë të mirë. “Në qendër të mesfushës unë arrij të jap gjithnjë maksimumin tim. Është roli ideal për mua, ndonëse shpesh herë më është dashur të sakrifikoj për hir të skuadrës. Unë jam i gatshëm të luaj në çdo pozicion që kërkon trajneri, por nuk mund ta mohoj se në qendër të mesfushës mund të bëj më shumë”, - tha mesfushori i Apollon Limasolit. “Nuk duhet kurrsesi të varim shpresat te rezultati i Danimarkës me Portugalinë (të shtunën, më 5 shtator). Ne duhet të bëjmë lojën tonë dhe të jemi të qetë në këtë sfidë, ashtu sikurse edhe në dy ndeshjet e fundit. Vetëm kështu mund t’ia dalim. Për më tepër mendoj se edhe nëse Danimarka mundet, atëherë presioni do të jetë mbi ata dhe jo mbi ne, pasi do të kërkojnë patjetër fitoren. Gjithsesi, llogaritë bëhen në fushë dhe jo jashtë saj. Detyra jonë është që të punojmë dhe të gjejmë mënyrën e duhur për të marrë një rezultat pozitiv. Më tepër se sa një lojë e mirë, këtë herë dëshiroj me çdo kusht një rezultat pozitiv. Kjo do të na ndihmonte shumë”, - përfundoi Duro.

BULKU
Mesfushori shkatërrues Ervin Bulku, me lojërat e tij duket se e ka zëvendësuar plotësisht kapitenin e dëmtuar, Altin Lala. “Kundër Danimarkës do të jetë një ndeshje e fortë, por nuk duhet të trembemi sepse në futboll të gjitha ekipet kanë shanse për ta fituar një ndeshje, sado e vështirë të jetë ajo. Është ndeshja e parafundit eliminatore dhe e fundit që luajmë në fushën tonë, ndaj do të doja që skuadra të bënte një lojë të mirë, por mbi të gjitha të siguronte një rezultat pozitiv. Është shumë e rëndësishme për ne që të vijojmë në rrugën e nisur këto muajt e fundit”, - është shprehur mesfushori i Krivbasit gjatë konferencës për shtyp.

E dyta
Takimi kundër Danimarkës do të jetë ndeshja e dytë zyrtare e Kuzhesë, pas asaj të humbur 2-1 me Portugalinë. Në tri ndeshje në drejtimin e përfaqësueses, një zyrtare e dy miqësore, trajneri Kuzhe i ka provuar të tre rezultatet: një fitore me Qipron (6-1, miqësore), një barazim me Gjeorgjinë (1-1, miqësore) dhe një humbje me Portugalinë (1-2, zyrtare).

E para
Në përballjen e parë në Kopenhagen, Shqipëria, atëherë e drejtuar nga Ari Han, humbi me rezultatin e thellë 3-0. Danimarka realizoi me Leon Andreasen (30’), Soren Larsen (37’) dhe Kristian Pulsen (80’). Humbja me danezët, e dyta rresht pas asaj me Hungarinë në Tiranë (0-1), e shoqëruar edhe me barazimin e zbehtë në Maltë (0-0), provokoi edhe shkarkimin e holandezit.

Danimarka
Danezët përpara së të luajnë me Shqipërinë, në Tiranë, do të përballet në shtëpi me Portugalinë (5 shtator), ku nga fati i atij takimi do të varet edhe e ardhmja e dy skuadrave. Në ndeshjen e parë, Danimarka fitoi në Portugali 3-2. Më pas danezët kanë punë me Hungarinë e Suedinë. Portugalia në gjashtë ndeshje ka grumbulluar 9 pikë, po aq sa dhe Suedia.

ELIMINATORET E
KAMPIONATIT BOTËROR 2010
GRUPI 1, ZONA EUROPIANE

NDESHJET E SHQIPËRISË

Shqipëri-Suedi 0-0
Shqipëri-Maltë 3-0
Hungari-Shqipëri 2-0
Portugali-Shqipëri 0-0
Maltë-Shqipëri 0-0
Shqipëri-Hungari 0-1
Danimarkë-Shqipëri 3-0
Shqipëri-Portugali 1-2
Shqipëri-Danimarkë 09.09
Suedi-Shqipëri 14.10

RENDITJA
Ekipi N P
Danimarka 6 16
Hungaria 6 13
Portugalia 6 9
Suedia 6 9
Shqipëria 8 6
Malta 8 1

3 Shtator 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›