Rapidi, “bota e re” e Salihit
Hamdi Salihi me transferimin e tij të minutës së fundit nga modestët e SV Riedit te gjigantët e Rapidit të Vjenës, në shumën e 2.7 milionë eurove, mbylli një seri të gjatë prej 31 lëvizjesh të legjionarëve shqiptarë anembanë Europës, që kulmoi me shitblerjen e Lorik Canës në shumën e 6 milionë eurove nga francezët e Olimpikut të Marsejës te anglezët e Sandërlendit. Sulmuesi i Kombëtares, i cili nënshkroi një kontratë 3-vjeçare me nënkampionët e Austrisë, aktualisht ndodhet nën urdhrat e trajnerit Josip Kuzhe, në kuadër të ndeshjes kundër Danimarkës për eliminatoret e Kampionatit Botëror 2010, por nuk ka “përtuar” të japë intervistën e parë në mediat austriake, tashmë me fanellën e rekordmenëve austriakë. “Në një botë të re”, - thekson faqja austriake Sport.net.
Hamdi, transferimi i tënd nga Riedi te Rapidi ishte për të gjithë diçka befasuese. Por për ty?
Për mua jo. Në të vërtetë unë duhet të transferohesha para dy vjetësh te Rapidi. Për fat të keq kjo nuk ndodhi dhe unë shkova te Riedi. Qysh atëherë kontaktet me Rapidin nuk u ndërprenë asnjëhereë.
Përse ndodhi transferimi në ditën e fundit të merkatos?
Rapidi kishte gjithmonë në radhët e tij të paktën dy sulmues të mirë dhe nuk dëshironte të paguante për kartonin. Me transferimin e Shtefan Majerhoferit ata kishin nevojë për një zëvendësues. Kjo u realizua brenda disa ditëve. Për Riedin kaloi mirë gjithçka, për mua gjithashtu. Jam shumë i lumtur.
Nga Riedi te Rapidi, kjo është para së gjithash një lëvizje e madhe.
E di, që këtu do të jetë gjithçka ndryshe në raport me Riedin. Rapidi është më klubi më tradicional, më i madhi dhe më miri në Austri. Duhet të jem plotësisht i përqendruar që nga minuta e parë, para së gjithash në atë çfarë do të bëj. Stadiumi, tifozët, media- thjesht këtu është një numër më i madh sesa në Ried. Por, me punë të fortë do t’ia arrij. Dhe pakëz fat, natyrshëm që duhet të kesh gjithmonë në futboll.
Beson se do të luash menjëherë në formacionin bazë?
Këtu luftojnë çdo ditë 25 lojtarë për ta pasur këtë shans. Sigurisht, je apo nuk je në formacion, duhet të japësh gjithmonë rezultate. Unë kam folur me Petër Pakultin (trajnerin) dhe ai më ka thënë se beson te mua dhe unë do të përfshihem në formacionin e Rapidit.
Ju u stërvitët për herë të parë ditën e martë me shokët e rinj të ekipit. Si shkoi ajo?
Shumë mirë. Në klub më pritën në mënyrë të shkëlqyer dhe ishin shumë miqësorë me mua. Pata një përshtypje të mirë nga ekipi dhe këtë pres edhe në muajt e ardhshëm. Por tani, së pari më duhet të shkoj në Shqipëri te ekipi Kombëtar.
Ku do të banosh gjatë ditëve të ardhshme?
Hë për hë në hotel. Më pas, kur të kthehem javën e ardhshme nga Shqipëria, do të kërkoj një apartament apo shtëpi në Vjenë. Më pas shpresoj të vijë shumë shpejt edhe familja ime. Ata banojnë në në Austrinë e Sipërme (në Ried).
Në vjeshtë do të luash me Rapidin edhe në Ligën e Europës. Nga cili kundërshtar je veçanërisht i entuziazmuar?
E kam parathënë edhe gjatë stërvitjes, që në ekip kënaqësia më e madhe është ndeshja kundër Hamburgut. Është sigurisht kundërshtari më i madh dhe më i fortë. Është bukur, që me e fillojmë me një ndeshje në shtëpi.
Së fundi, edhe një pyetje e drejtpërdrejtë. Sa gola do të shënosh për Rapidin?
Te Riedi në më shumë se 80 ndeshje kam shënuar 40 gola. Te Rapidi mund të jetë sigurisht do të jetë më mirë, pasi skuadra luan lojë më sulmuese dhe ti si sulmues ke më shumë shans. Por, nuk dëshiroj të përmend asnjë shifër, pasi siç thuhet gjithmonë: në futboll ti ke nevojë gjithmonë për fat.
RAPIDI
Në sezonin aktual, Rapidi i Vjenës pas 5 javëve (ka një ndeshje më pak) renditet në vendin gjashtë me 8 pikë, teksa ka shënuar 12 gola e ka pësuar gjashtë të tillë.
DY GOLA
Në sezonin aktual, Salihi është aktivizuar në 6 ndeshje duke shënuar 2 gola me ish-skuadrën e tij, SV Ried. Shkodrani dallohet për instinktin e tij vrasës.
TË HUAJT
Shqiptari Salihi do të jetë një ndër tetë lojtarët e huaj të Rapidit, që ka në gjirin e tij edhe një sulmues tjetër, kroatin 24-vjeçar Nikica Jelaviç.
3 Shtator 2009