FIFA na “merr me të mirë”, ngjitemi një vend
Shqipëria mori një sinjal pozitiv nga “ndërkombëtarët e topit”, FIFA, përpara se të përballet të mërkurën e ardhshme me Danimarkën, në ndeshjen e parafundit të eliminatoreve të Kampionatit Botëror 2010. Kombëtarja shqiptare pas fitores tenistike në miqësoren me Qipron (6-1) rifitoi një vend në shkallëzimin tradicional të FIFA-s për muajin shtator 2009. Nga vendi i 94-t (gusht 2009), kuqezinjtë e trajnerit Josip Kuzhe, tashmë ndodhen në vendin e 93-të në ranglistën botërore, në kuotën e 360 pikëve, me një bonos prej 13 pikësh në raport me muajin paraardhës. Në renditjen botërore, Shqipëria ndodhet midis Angolës (vendi i 92-të) dhe Tanzanisë (94). Renditja më e mirë e Shqipërisë në vitin 2009 është ajo e muajit janar: vendi i 78-të.
Në renditjen specifike europiane Shqipëria vazhdon të ndodhet në vendin e 41-të nga 53 federata futbollistike që bëjnë pjesë në UEFA. Në klasifikimin e zonës evropiane, Kombëtarja jonë renditet midis Malit të Zi (40) dhe Islandës (42). Në muajin shtator, Kombëtarja jonë do të përballet me Danimarkën, që ka zbritur një vend nga ana e saj, tani e 16-ta në Botë (e 12-ta në Europë), në ndeshjen e parafundit të kualifikueseve të Kampionatit Botëror “Afrika e Jugut 2010”, që për kuqezinjtë e Kuzhes mbyllet me Suedinë në Stokholm (14 tetor), vendi i 41-të në FIFA dhe të 24-t në UEFA. Nga ekipet e tjera të grupit tonë eliminator, Portugalia ndodhet e 17-ta në Botë (e 13-ta në Europë), Hungaria ndodhet e 47-ta në Botë (e 29-ta në Europë) dhe Malta e 140-ta në Botë (e 49-ta në Europë). Pas tetë ndeshjeve të para, Kombëtarja jonë ka grumbulluar vetëm 6 pikë, duke pasur në bilancin e saj, 1 fitore, 3 barazime dhe 4 humbje. Shqipëria ka fituar me Maltën (3-0), barazuar me Suedinë (0-0, në Tiranë) dhe Portugalinë (0-0, në Braga) e Maltën (0-0, në La Valeta). Kemi humbur me Hungarinë (2-0, në Budapest e 0-1 në Tiranë), Danimarkën (3-0 në Kopenhagen) dhe së fundi me Portugalinë (1-2, në Tiranë).
Brazili në krye të botës
Brazili edhe këtë muaj është në krye ranglistës botërore të FIFA-s për ekipet kombëtare për muajin shtator me 1604 pikë. Skuadra e drejtuar nga Dunga ndiqet nga Spanja (1588 pikë), ndërkohë që në podiumin e tre më të mirëve është edhe Holanda (1376 pikë)
Renditja e klubeve, bien Vllaznia e Tirana
Instituti Ndërkombëtar për Historinë e Futbollit dhe Statistikat (IFFHS) publikoi renditjen e re të 354 klubeve më të mira të botës. Vllaznia ra nga vendi i 283 i një muaji më parë në të 294-in, (me 72 pikë), ndërkohë që të njëjtin fat pati dhe Tirana, nga vendi i 295-të në atë të 310-të, me 70 pikë. Flamurtari në shtator renditej i 345-ti, ndërsa tani nuk figuron më në këtë klasifikim.
KATEGORIA E PARË
Bylisi fiton me Partizanin
Bylisi fitoi 1-0 me Partizanin në “Adush Muça” në derbin e parë të madh të Kategorisë së Parë, falë një autogoli të mbrojtësit Arjan Sheta në minutën e 65-të, duke marrë pas ndeshjeve të javës së dytë dhe kryesimin e Kategorisë së Parë. Lushnja fitoi 3-0 në transfertë me Turbinën e Cërrikut. Bubeqi shënoi një dopjetë (3’, 90’) e shoqëruar me golin e Bizhutit (42’). Bilishti pas humbjes me Partizanin në javën e parë në kryeqyteti, fitoi me të njëjtin rezultat 1-0 me Gramshin me një gol të realizuar nga Allamani (43’). Ada nuk fali Burrelin, duke fituar 2-1: Shjetani (10’) e Përvati (60’) shënuan për velipojakët, ndërsa për matjanët golin e statistikave e realizoi Xhetani (90’). Skrapari e Memaliaj u ndanë në barazim 1-1. Takimi Sopoti-Elbasani nuk u zhvillua. Të martën, Luftëtari fitoi 3-2 me Pogradecin. Për gjirokastritët realizuan Shalari 14’, Zharkalliu 37’e Shkoza 43’, ndërsa për pogradecarët Jahaj 77’ dhe Kreka 90’.
3 Shtator 2009