E Shtunë, 31 Tetor 2026

Durrës- Kukës, banorët në protesta për shpronësimet

Me pretendimin se po abuzohet me pronën e tyre banorë të lagjes Gostil në Kukës kanë protestuar para makinerive të firmave që po kryejnë punimet ne autostradën Durrës Kukës. Protestuesit kerkojne nga qeveria dëmshpërblim për pronat. 

KUKËS- Banorët e lagjes Gostil në hyrje të qytetit të Kukësit kanë protestuar para makinerive të firmave që kryejnë punimet në ndërtimin e autostradës “Durrës – Kukës”. Ata pretendojnë se segmenti në hyrje të qytetit të Kukësit pjesë e autostradës bie në pronat e tyre, pavarësisht mungesës së njohjes së pronësisë nga ligjet në fuqi. Për këtë arsye protestuesit kanë tentuar të bllokojnë punimet në këtë segment të autostradës, por ndërhyrja e policisë i ka ndaluar. “Të gjithë duam të ndërtohet kjo rrugë por ama të na bëhen shpronësimet për tokën tonë” – shprehen disa nga banorët. Nga një numër prej 71 familjesh, të cilat pretendojnë se preken pronat e tyre nga ndërtimi i autostradës Durrës – Kukës, qeveria shqiptare ka dëmshpërblyer vetëm 4 banesa, ndërsa nuk janë marrë parasysh pemëtaria e fruti-kultura duke shkaktuar mjaft humbje për fermerët e lagjes Gostil. Banorët kanë kërcënuar se protestat e tyre do ti përshkallëzojnë, deri në bllokimin e punimeve.

(O.Zh/ BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›