E Shtunë, 31 Tetor 2026

Durrës/ Aksident, 5 të vdekur, 3 të plagosur

Si pasojë e një aksidenti automobilistik në superstradën Tiranë-Durrës sot rreth orës 4.00 pranë Maminasit, 12 km larg Durrësit, ku u përfshinë tre automjete me targë Tiranë që udhëtonin drejt qytetit bregdetar, 5 persona kanë vdekur dhe 3 janë plagosur rëndë. Sipas informacioneve njihet vetëm identiteti i tre prej viktimave: Doloresa Skënderaj, 32 vjeç, Haxhire Skenderaj, 60 vjeç dhe Lindita Limani, 43 vjeç, ndërsa mbeten ende të paidentifikuar një burrë dhe një grua, që gjithashtu humbën jetën në këtë aksident.Si pasojë e aksidentit, ku u përfshinë tre automjete janë dëmtuar rëndë edhe shtetasit Ilir Bardhi, 18 vjeç, Nuel Papuli, 19 vjeç dhe Elda Mallkutaj, 17 vjeç, që të tre nga Tirana. Të lënduarit u dërguan fillimisht në spitalin rajonal të Durrësit, por gjendja e tyre ishte e rëndë dhe sipas mjekëve, ata u dërguan për mjekime të specializuara në spitalin ushtarak të Tiranës. Deri tani, ende nuk njihen rrethanat e përplasjes mes autoveturave me targa TR 0988 G, TR 0458 S dhe TR 5184 L.
Forcat e policisë dhe ato të repartit të urgjencës spitalore po punojnë për identifikimin e viktimave që aktualisht ndodhen në morgun e spitalit rajonal të Durrësit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›