E Diel, 1 Nëntor 2026

Si vlerësohen marrëveshjet mes Kosovës dhe Shqipërisë?



Analistët i vlerësojnë marrëveshjet mes Kosovës dhe Shqipërisë si përmbushje të kritereve të kërkuara nga Komisioni Evropian për vendet e Ballkanit. Serbia e sheh si një afrim të shpejtuar të Kosovës me Shqipërinë.

Shqipëria dhe Kosova ditë më parë nënshkruan një sërë marrëveshjesh bashkëpunimi ndërmjet dy vendeve. Është marrëveshja për lëvizjen e lirë dhe të ndërsjellë të shtetasve shqiptarë dhe kosovarë, është marrëveshja e bashkëpunimit policor ndërkufitar, është marrëveshja e ripranimit të personave me qëndrim të paligjshëm, marrëveshja për qarkullimin në zonat kufitare, marrëveshja në fushën e doganave dhe marrëveshja e bashkëpunimit të administratave lokale.

Nga marrëveshjet përfitojnë banorët e zonave kufitare

Nga analistë të shumtë të gjitha këto marrëveshje u cilësuan në funksion të përmbushjes së kritereve nga Kosova dhe Shqipëria për t’u përfshirë në procesin e liberalizimit të vizave, por që do të rrisin edhe bashkëpunimin ndërmjet dy vendeve. Analisti i pavarur Ramush Tahiri thotë se kalimet e kufirit, siç e quan ai, shqiptaro-shqiptar, tashmë në forma të ndryshme po lehtësohen, ndërsa përfitimet më të mëdha në këtë rast, sipas tij, do t’i kenë banorët e zonave kufitare të të dyja vendeve.

"Popullsia e malësisë kufitare nga të dyja vendet tashmë ka të drejtë të zbresë në tregje, t’i shesë prodhimet e veta dhe të blejë prodhime", - thotë Ramush Tahiri.

Analistët ekonomikë thonë se marrëveshje të tilla marrin shembull atë të doganave, ku Kosova po nënshkruan dhe do të nënshkruajë edhe me vendet e tjera të rajonit. Ibrahim Rexhepi, analist ekonomik, thotë se në këtë fazë marrëveshja e doganave me Shqipërinë më shumë ka të bëjë më shkëmbimin e informatave sesa që do të ketë përfitime ekonomike.

"Kjo më tepër ka të bëjë me këmbimin e informacioneve, me një bashkëpunim shumë më të ngushtë në përcjelljen e qarkullimit të mallrave dhe të njerëzve ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës. Mirëpo, kjo marrëveshje u paraprin situatave të tjera që do të vijnë dhe ku duhet të krijohet një ambient shumë më liberal i qarkullimit të mallrave ndërmjet dy vendeve", - thotë Ibrahim Rexhepi.

Marrëveshjet Kosovë-Shqipëri nuk mirëpriten nga Serbia

Marrëveshjet në fusha të ndryshme që po nënshkruhen ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë, nga autoritetet e Serbisë janë cilësuar si një afrim i shpejtuar i Kosovës me Shqipërinë dhe si të tilla nuk janë mirëpritur.

Sidoqoftë, krahas Shqipërisë, Kosova po nënshkruan marrëveshje bashkëpunimi edhe me vendet e tjera të rajonit të Ballkanit. Marrëveshja e fundit që u nënshkrua, ishte ajo për bashkëpunim policor me shtetin e Kroacisë.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›