E Shtunë, 31 Tetor 2026

Durrës-Kukës, Berisha dhe Thaçi presin shiritin

 

BLEDAR HOTI

Dy kryeministrat, Sali Berisha i Shqipërisë dhe Hashim Thaçi i Kosovës do të bashkojnë duart pas hapjes së tunelit që lidh dy vendet tona. Në ditën e sotme kjo është simbolika domethënëse, pas momentit të shembjes së murit të tunelit, duke dhënë sinjalin e bashkimit të dy popujve të të njëjtit komb pas më shumë se një shekulli. Sipas burimeve pranë Qeverisë, Kryeministri Berisha në ora 12:00 do të përshkojë tunelin duke hyrë nga Thirra, ndërsa homologu i tij kosovar, Thaçi nga ana tjetër, pjesa e rrugës që vjen nga Kosova. Pas pastrimit të zonës nga ana e firmës në tunel, të dy kryeministrat do të përshkojnë në këmbë 100 metërshin e fundit drejt hyrjeve të tunelit nga zona e Kukësit. Dy kryeministrat do të jenë të shoqëruar edhe nga përfaqësuesi i firmës Bechtel Enka. Pas daljes së tunelit, nga ana e Kukësit, dy kryeministrat do të japin edhe një konferencë për shtyp për realizimin e kësaj vepre madhore. Ajo do të jepet në podin e ngritur në hyrjen e tunelit. Dy qeveritë shqiptare dhe kosovare kanë përcaktuar se do të jenë secila palë e një delegacion prej 20 vetash dhe asnjë më shumë, të cilët do të përshkojnë tunelin. Në këtë përfaqësi prej 40 vetash, bëjnë pjesë ministra të të dy kabineteve qeveritare. Ky eveniment historik do të transmetohet live nga televizionet shqiptare dhe kosovare. Gjithashtu kjo do jepet edhe live në transmetim satelitor. Rruga gjigande Durrës-Kukës përfshin 170 kilometra autostradë. Në këtë rrugë parashikohen dy tunele, me nga 5.5 kilometra të gjatë secili. Në të janë parashikuar që të ndërtohen 27 ura, ku më e gjata është 360 metra dhe më e lartë 80 metra. Gjatë kësaj periudhe është punuar me ritmin maksimal, për të realizuar punimet e kësaj rruge më të rëndësishme për shqiptarët. Firma Bechtel Enka ka punësuar mbi 3800 punonjës dhe në këtë gjigand ndërtimi 60 për qind e të punësuarve janë shqiptarë. Rruga do të sjellë mundësi të mëdha zhvillimi, duke afruar më tepër dy popuj të një kombi, për dy orë e gjysmë. Korridori shqiptarëve pritet t’i japë mundësi zhvillimi në fushën ekonomike, të shkëmbimit të mallrave dhe të turizmit në veçanti.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›