E Shtunë, 31 Tetor 2026

Durrës; Një retrospektivë ndjenjash në teatrin “Aleksandër Moisiu”

Dashuria e të gjitha moshave dhe e të gjitha kohërave, intimiteti dhe njëkohësisht lumturia që sjell ajo në jetën e përditshme, ishin në qendër të premierës “Pak dashuri, pak dashuri”, me libret dhe regji të Mjeshtrit të Madh të Punës, Haxhi Rama, e cila u ngjit të shtunën në mbrëmje në skenën e teatrit “Aleksandër Moisiu” në Durrës. Shfaqja e interpretuar nga trupa e varietesë së Durrësit u mirëprit nga spektatorët e qytetit bregdetar, si dhe drejtues të pushtetit vendorë, të cilët kishin mbushur sallën e teatrit. Aktorët e mirënjohur, Roland Koca dhe Muharrem Hoxha, mbajtën peshën kryesore të shfaqjes, ndërsa pranë tyre interpretuan me sukses edhe aktorët Eralda Caushi, Ervin Doko, Mimoza Marjanaku dhe Adem Gjepali. Ndërsa aktori i varietesë së Durrësit, Muharrem Hoxha, pas shfaqjes u shpreh se “jam i kënaqur që vij para spektatorëve durrsakë me një premierë varieteje, e cila mungonte që nga fundi i vitit të kaluar kur u shfaq premiera e estradës ‘DR 2007 Z’”. Hoxha prezantohet në këtë shfaqje tri javë, pasi fitoi çmimin e parë si aktor protagonist në Festivalin teatror shqiptar të Dibrës (Maqedoni) me komedinë e paraqitur nga trupa e Korçës “Ju ftoj në dasmën e babait tim”. Premiera “Pak dashuri, pak dashuri” është ndërtuar kryesisht mbi humorin e batutave dhe citimeve të personazheve të njohur të jetës publike shqiptare dhe botërore. Një vend të veçantë në premierën e drejtuar nga Haxhi Rama zunë këngët e dashurisë të ndërthurura me vargjet e autorëve të traditës si Çajupi dhe Fan Noli, të cilat u interpretuan nga aktori Hysen Bashysa dhe këngëtari Reshit Gjini.

Artdashësit kanë pritur me duartrokitje skeçet “Mjeku 9.9”, “Kodi Davidi”, si dhe “Triptikun e të dashuruarve”, të cilat sollën pamje të ndryshme nga jeta e përditshme. Formulimi muzikor i premierës është përgatitur nga Julian Shyti, ndërsa drejtuesi i muzikës, Edi Terziu, ka përzgjedhur këngëtarët dhe repertorin muzikor.

Mjeshtri i Madh i Punës, Haxhi Rama, drejton trupën e varietesë së teatrit nga viti 1986, pas një përvoje të gjatë si regjisor dhe libretist në teatrin dramatik “Aleksandër Moisiu”. Varieteja “Pak dashuri, pak dashuri” do të shfaqet edhe sot në mbrëmje në qytetin e Durrësit.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›