E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bogdani: PS, përpjekje primitive për të mbuluar realitetin

Zëdhënësi i Partisë Demokratike, Gerti Bogdani, ka sulmuar dje kreun e Partisë Socialiste, duke deklaruar se Edi Rama po tenton me mënyra primitive për të fshehur realitetin. Gjatë një konference për shtyp ditën e djeshme, Bogdani tha se Rama është i interesuar për qëllime të ulëta politike, për të fshehur reformat e qeverisë për integrimin e vendit në NATO dhe BE. “Z. Rama, ndonëse proklamon politike të re, vazhdon me retorikën e vjetër të mashtrimeve dhe trillimeve. Nëpërmjet z. Balla, altoparlant i mashtrimit të politikës së re, foli për monitorimet e procesit të integrimit evropian, të bëra këto nga një drejtor i shoqërisë civile, por njëkohësisht edhe sekretar politik në Partinë Socialiste. Me këtë trillim të radhës, z. Rama përpiqet t’u mbushe mendjen shqiptarëve se procesi i integrimit paska ngecur, por në të vërtetë ajo që ka ngecur është ora e z. Rama, që vazhdon të ëndërrojë se Shqipëria është ende 50 vite mbrapa”, - deklaroi Bogdani. Më tej në deklaratën publike të tij, zëdhënësi i selisë blu, shtoi se opozita e Ramës po luan me retorika primitive. “Ndaj, retorikat e vjetruara tashmë, të z. Rama, janë thjesht përpjekje primitive të tij, për të mbuluar një realitet që flet çdo ditë e më shumë vetë”, - tha Bogdani. Sipas zëdhënësit të PD-së, reformat e realizuara në Shqipëri në vitet e fundit janë cilësuar nga faktori ndërkombëtar si surprizë, të cilat sipas tij, do të bëjnë të mundur që vendi të integrohet në strukturat euroatlantike. Bogdani tha më tej se ky proces është i pandalshëm për Shqipëri. Ai iu referua ngjarjeve më të fundit politike, si deklaratat e Oli Rehn, takimin e Kryeministrit me Kancelaren gjermane, Merkel, si dhe firmën e Presidentit amerikan, Bush, për ratifikimin e Protokollit të Anëtarësimit të Shqipërisë në NATO. “Reformat e Shqipërisë u cilësuan nga 27 ministrat e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, në deklaratën e Lubjanës, si inspiruese për vendet e rajonit për nga suksesi i tyre. Këto reforma do të vlerësoheshin edhe nga Komisioneri Evropian për Zgjerimin, Oli Rehn, si surprizë e Shqipërisë. Vlerësimi më kulmor do të vinte nga Kancelarja e Republikës së Gjermanisë, e cila tri jave më parë, do t’i cilësonte reformat të një guximi të jashtëzakonshëm. Proceset e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian dhe NATO janë të pandashme nga njëra-tjetra. Reformat e Shqipërisë në procesin e integrimit merituan më 24 tetor të këtij viti firmën historike të Presidentit Bush”, - përfundoi deklaratën për shtyp, zëdhënësi i Partisë Demokratike, Gerti Gogdani.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›