Durrës, OSSH mban peng rrugën e re
Prej afro 3 muajsh asfaltimi i rrugës së tregut industrial mbetet i bllokuar për shkak të mosmarrëveshjeve të firmës së ndërtimit me degën lokale të OSSH-së në Durrës. Firma që po ndërton këtë rrugë shumë të rëndësishme për trafikun e qytetit, kërkon që OSSH të zhvendosë 10 shtylla centrifugale të sistemit 6 kw, të cilat bllokojnë vazhdimin e punimeve. Ndërkohë që drejtues lokalë të OSSH-së thonë se nuk kanë fonde për zhvendosjen e tyre. Nga ana e tyre, drejtues të firmës që realizon projektin, ankohen se "filiali OSSH në Durrës nuk po kryen detyrat e tij". Firma ndërtuese e rrugës ka kohë që ka përfunduar punimet e nëndheshme dhe ka arritur në fazën e asfaltimit, por projekti është bllokuar, ndaj në këto kushte rruga ekzistuese mbetet e pakalueshme për automjetet, ndërsa tregu industrial pa punë. Në bashki zyrtarët e Drejtorisë së Investimeve Publike shprehen se konflikti që po bllokon punimet, ka kohë që është prezent dhe për zgjidhjen e tij janë bërë përpjekje të shumta, punimet kanë ngecur, pasi 10 shtylla elektrike betoni të linjës 6 kw, të cilat janë në mes të rrugës, pengojnë punën. Kurse sipas drejtuesve të firmës: Prej afro 2 muajsh ne kemi kërkuar me shkrim në OSSH Durrës zhvendosjen e shtyllave, por përgjigja është negative. Drejtues të tij kanë deklaruar: Nuk kanë fonde për një operacion të tillë, por përfaqësues të firmës kanë sqaruar se në këtë proces nuk kërkohen fonde, pasi ka vetëm zhvendosje mekanike me të njëjtën bazë materiale, ndërkohë që atyre iu është ofruar edhe ndihma me fuqi punëtore nga firma. Por më tepër mësohet se konflikti tashmë ka marrë përmasa të tjera institucionale. Këtë konflikt po e vuan ndërtuesi dhe mijëra qytetarë që janë të detyruar të përballen me një sfilitje drejt pamundësisë në një nga rrugët më të rëndësishme të qytetit. Sezoni i ri turistik për 15 ditë hapet, kurse rruga e papërfunduar do të shtojë anomalitë në qarkullimin rrugor, por dhe në fluksin e turistëve vendas e të huaj që do të frekuentojnë këtë vit plazhin më të madh të vendit. Për rrugën e tregut industrial që nis tek vendi i quajtur "Rrota e Kuqe" dhe përfundon në ish-Kënetë, pas hartimit dhe miratimit të projektit, vendorët kanë mundur që të sigurojnë dhe burimin e financimit. Aksi është i gjatë 1.2 kilometër dhe lidh qytetin me tregun industrial. Njëkohësisht, është pajisur me trafikndarëse. Ajo është konceptuar me të gjitha punimet e infrastrukturës nëntokësore. Gjithashtu, rruga do të ketë rrjetin e ndriçimit dhe të gjelbërimit. Bllokimi i punimeve në aksin kryesor të qytetit po vështirëson trafikun. Për këtë projekt qeveria ka planifikuar 1.5 milionë dollarë dhe ndërtim sipas të gjithë parametrave bashkëkohorë.