E Diel, 1 Nëntor 2026

Specialistët: Shkozeti, nevojë urgjente për plan urbanistik

Zona industriale e Shkozetit prej vitesh paraqet një rajon me zhvillim kaotik ku është e vështirë të ndash subjektet që merren me biznes me blloqet e banimit. Përveç objekteve të vjetra të ndërtuara përpara vitit 1990, tashmë atje është ngritur një zonë e tërë banimi me ndërtesa pa leje, të cilat janë në proces aplikimi për legalizim. Por zona vazhdon të zhvillohet në mënyrë kaotike, pasi nuk ka plan studimi urban për ecurinë e saj, shprehen për standard urbanistë dhe arkitektë. Zona e Shkozetit shtrihet në një territor prej 800 ha, dikur ajo ka qenë një ndër zonat më të mëdha industriale në shkallë vendi, në të cilën ushtronin aktivitetin 20 fabrika e uzina dhe me dhjetëra ofiçina e magazina gjigande. Pas vitit 90, pothuajse të gjitha u mbyllën dhe e pushuan aktivitetin. Që nga ajo kohë e në vazhdim nga ana e banorëve të zonave të largëta të vendit, Shkozeti nisi të shihej si një vend shumë i përshtatshëm për transferim e banim. Vit pas viti, në territoret e lira nisën të ndërtoheshin banesa, të cilat sot kanë arritur numrin 3880. Po kështu, të gjitha objektet e lira industriale u transformuan në shtëpi banimi. Në këto kushte edhe bashkia e ka pranuar në heshtje se kjo zonë, dikur industriale, nuk është më e tillë, por më tepër një lagje e banueshme. Në këto kushte një VKM e vitit 2005 e shpalli park industrial zonën e Spitallës dhe të Porto Romanos. Aktualisht, Shkozeti vazhdon të zhvillohet në mënyrë krejt kaotike, pasi nuk ka një plan studimi urban. Veç banesave të ngritura përpara vitit 90, të tjera kanë vazhduar të ndërtohen, por në këtë rajon ushtrojnë aktivitetin e tyre edhe një numër jo i pakët subjektesh private. Ka mbi 15 vjet që ish-fabrika e gomës, e cila shtrihet një territor prej 10 ha, vazhdon të paraqesë një gërmadhë, e cila jo vetëm që ndot mjedisin, por përbën një rrezik për fëmijët që shkojnë të luajnë në mjediset e saj, po ashtu edhe ajo e plastikës së dikurshme. Në bashki, askush nuk është në gjendje të japë sqarime se përse i gjithë ky territor nuk privatizohet ose të përdoret nga shteti për investime publike. Të gjitha këto probleme do të merrnin zgjidhje, nëse për Shkozetin do të kishte një studim urban, i cili të kishte edhe miratimin e KRRTRSH ( por pasi ta kishte hartuar bashkia), pasi mjaft prej ish-objekteve industriale janë pronë e qeverisë. Artur Ajazi

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›