Durrës, Pastiçeri prangos policin, pjesë e grupit të narkotrafikut
Operacioni i koduar Pastiçieri, i drejtuar nga efektivat e antidrogës, ka arrestuar një tjetër pjesëtar të grupit të narkotrafikut, i cili ishte dhe punonjës policie. Burime zyrtare nga drejtoria e Policisë së qarkut, bënë të ditur se shtetasi Arif Konja, 47 vjeç, lindur dhe banues në Rrogozhinë, me detyrë efektiv i policisë së burgut në këtë qytet është prangosur nën akuzën e prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike. Burimet bënë të ditur se në vijimësi të operacionit të koduar Pastiçieri, mesnatën e së premtes në afërsi të pallatit të Sportit në Durrës, ishte ndaluar shtetasi Besnik Tarko, 39 vjeç, lindur në Lushnjë dhe banues në lagjen 7 të Durrësit, të cilit iu gjetën dhe sekuestruan 16 gram lëndë narkotike e llojit heroinë.
Gjatë dëshmisë, Tarko deklaroi se drogën ia kishte blerë 47-vjeçarit nga Rrogozhina, Konja, i cili u ndalua pasditen e djeshme. Pasi ka vënë në pranga tre persona për prodhim dhe shpërndarje të lëndëve narkotike, një pjesëtar i katërt i grupit është arrestuar në mesnatën e së premtes. Besnik Tarko, 39 vjeç, me banim në lagjen numë 7 Durrës, është arrestuar në flagrancë nga efektivat e antidrogës rreth orës 23:55. Mbi 39- vjeçarin rëndon akuza e prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike. Sipas policisë, operacioni ka si qëllim goditjen e personave dhe grupeve kriminale në fushën e prodhimit dhe të shpërndarjes së lëndëve narkotike. Burime zyrtarë të policisë së Durrësit bëjnë të ditur se arrestimi i shtetasit erdhi si rezultat i punës së bërë për një periudhë relativisht të gjate në kohë dhe mbajtjes nën vëzhgim në lagje të ndryshme të qytetit. Në momentin e arrestimit 39- vjeçarit iu gjet gjatë kontrollit të ushtruar një sasi prej 16 gram lëndë narkotike të llojit heroine, në afërsi të pallatit të Sportit në Durrës. Policia e Durrësit ka asgjësuar kështu një grup të shitjes dhe prodhimit të lëndëve narkotike. Operacioni i koduar "Pastiçieri", i drejtuar nga efektivat e antidrogës, ka bërë që të përfundojnë në prangat e policisë deri tani katër persona që akuzohen për trafik droge. Vetëm 2 ditë më parë, policia arrestoi dhe 3 pjesëtarët e tjerë të grupit. Sipas policisë, 3 shtetasit të njohur si një grup trafiku të lëndëve të forta narkotike, mbaheshin nën vëzhgim prej kohësh. Ata janë Taulant Harizaj, 26 vjeç nga Kavaja, Ismail Jakupi, 24 vjeç si dhe Saimir Zotka,19 vjeç, këta të fundit me banim në Durrës. Sipas policisë, të dyshuarit ranë në kurthin e operacionit të koduar Pastiçieri që kishte si qëllim goditjen e personave dhe grupeve kriminale në fushën e prodhimit dhe të shpërndarjes së lëndëve narkotike. Në momentin e arrestimit, tre shtetasve iu gjet gjatë kontrollit të ushtruar sasi të konsiderueshme lëndësh narkotike, në total 75.4 gramë heroinë, pesë fishekë pistolete, një thikë, pesë aparate celulare dhe një sasi prej 300 mijë lekësh.