Baret dhe lokalet, tashmë biznes edhe në trotuare

Trotuaret e rrugëve më të rëndësishme në zemër të kryeqytetit, janë zaptuar prej vitesh nga tavolinat e lokaleve bri tyre, saqë kjo pronë publike është kthyer në aktivitet privat. Qytetarët këmbësor janë të detyruar të kalojnë në rrugën automobilistike, pasi trotuaret e Tiranës janë kthyer në bar-kafe apo ponë për aktivitete të tjera fitimprurëse private. Pa përmendur qindra trotuare të rrugëve të Tiranës, shembullin e këtij fenomeni negativ e kemi në zonën e Bllokut, ku edhe trotuaret me 5-10 m janë të mbushura më karrige dhe tavolinat e lokaleve bri tyre.
Madje, në shumë raste janë kryer edhe investime në trotuar të qytetarëve, për të siguruar mbrojtjen e karrigeve dhe tavolinave nga shiu apo dielli. Ky fenomen është bërë i natyrshëm si për pronarët e lokaleve ashtu edhe për Bashkinë e Tiranës, madje qytetarët janë të bindur se institucionet shtetërore kanë harruar se trotuaret janë pronë publike dhe u shërbejnë qytetarëve për të lëvizur. Për këtë fenomen janë të shqetësuar vetëm qytetarët, e sidomos shumica prej tyre qe nuk kanë makinë, jo vetëm të kryeqytetit por të të gjithë Shqipërisë, sepse kryeqyteti është i të gjithë shqiptarëve. Të lëvizësh në këmbë në zonën e Bllokut, pa bërë pjesën më të madhe të rrugës në jashtë trotuareve është e pamundur. Policia Bashkiake, jo vetëm që nuk ka ndërhyrë ndonjëherë, të paktët të çlirojë njërën ana të trotuarit nga zaptimi i karrigeve dhe tavolinave të lokaleve, por ato i shikon tek pinë kafe të ulur në karriget që janë vendosur në mes të trotuarit. Zaptimi i trotuareve të kryeqytetit është bërë i përsosur në format e tij. Kështu edhe në rastet kur Policia Bashkiake është angazhuar të heqë karriget dhe tavolinat nga trotuaret e ndonjë rruge, ajo është zaptuar sërish të nesërmen, sepse tavolinat lëvizin lehtësisht. Në disa trotuare të të rrugëve të kryeqytetit, konstatohet se vendosja e karrigeve dhe tavolinave në to, është bërë në atë mënyrë, sa për të lënë 50 cm rrugë në mes, më qëllim që klientët e lokaleve të argëtohen nga larmia e qytetarëve kalimtar. Janë me mijëra qytetarët që ankohen për bllokim e trotuareve publik në mes te kryeqytetit. Ata ankohen për këtë fenomen dhe shprehen se të të mohohet e drejta të ecësh në vendin tënd, ky është dhunimi më i madh që u bëhen të drejtave të njeriut. Problemi paraqitet më serioz, për kalimtarët e moshuar dhe nënat me fëmijë të vegjël, të cilëve për shkak të bllokimit të trotuareve duhet të kalojnë në rrugën automobilistike, çka shton mundësinë e aksidenteve dhe tragjedive. Janë rrafshuar dhjetëra lokale ne Tiranë edhe në zona që nuk pengonin planin urbanistik, nga ana tjetër lejohen qindra lokale në trotuar. Privatizimi i trotuareve të Tiranës, të cilët ligjërisht janë pronë publike dhe u shërbejnë të gjithë qytetarëve të Shqipërisë, është legalizuar edhe nga instancat shtetërore, me veprimin apo mosveprimin e tyre.
Last Updated on Sunday, 19 April 2009 09:26
Last Updated on Sunday, 19 April 2009 09:26