E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ndoka akuzon PD dhe PS për monopol politik

Kreu i PDK- së, Nard Ndoka, ka deklaruar se në këto zgjedhje dy partitë e mëdha po tentojnë të manipulojnë dhe të ruajnë monopolin politik. Gjatë një deklarate për shtyp të përbashkët me përfaqësuesit e lartë të Unionit Demokristian, të cilët morën pjesë edhe në hapjen e fushatës elektorale të PDK-së, Ndoka ka informuar miqtë italianë për koalicionin elektoral dhe për objektivat politike. Edhe në zgjedhjet e 28 qershorit, dy partitë e vjetra nëpërmjet manipulimeve ligjore dhe krijimit të karteleve elektorale, synojnë  të pengojnë çdo ndryshim thelbësor në politikën shqiptare, kërkojnë të ruajnë monopolin politik dhe sundimin si alternativë qeverisjeje. Ne i dhamë garanci miqve tanë italianë se grupimi ynë politik, është një bashkim i faktorit progresiv të politikës, që kërkon të ndryshojë Shqipërinë dhe realitetin e saj politik, të mbajtur peng nga dy forcat e vjetra politike, PD dhe PS, ka theksuar Ndoka, duke veçuar se PDK nuk e ka gjetur veten të përfaqësuar politikisht në këto tetëmbëdhjetë vite, ku pushteti është kontrolluar me rotacion, nga dy partitë e vjetra. Gjithashtu, Ndoka ka përmendur edhe garantimin që i ka dhënë miqve italianë se PDK me aleatët e saj në Polin e Lirisë do të jetë fituese në këto zgjedhje dhe se bashkëpunimi dhe miqësia midis dy partive do të jetë afatgjatë në të mirë të qytetarëve dhe të dy vendeve fqinje dhe mike. Dy drejtuesit e lartë të UDS theksuan se PDK duhet të marrë mbështetjen e të gjithë qytetarëve shqiptarë. Nga ana e tij, kreu i Grupit Parlamentar të Unionit Demokristian, italian e ka cilësuar Polin e Lirisë një koalicion serioz dhe që sipas tij do të rezultojë i suksesshëm pas zgjedhjeve të 28 qershorit. Sipas tij, programi i Polit të Lirisë nuk është libër ëndrrash, por modern konkret dhe i realizueshëm, i cili i jep një rëndësi të veçantë të rinjve dhe veçon faktin se ky program i jep një vëmendje të rëndësishme shtresave më të dobëta. Lidhur me kodin e ri zgjedhor Quadrini tha se ai është penalizues për partitë e vogla dhe në disa pika anti- demokratik. Me gjithë situatën e vështirë për shkak të kodit zgjedhor, mendoj se rezultati do te jetë shumë pozitiv për Polin e Lirisë. Garancia e lirisë për të shprehur votën dhe korrektesa në vlerësimin e votës është një e drejtë e pashmangshme, tha Quadrini, i cili ndër të tjera ka shtuar se koalicioni i PDK prezanton zgjidhjen e duhur të problemeve në vend. Përsa i përket mundësisë për një bashkëpunim konkret ndërmjet demokristianëve italianë dhe Polit të Lirisë gjatë zgjedhjeve të 28 qershorit, Quadrini shprehet se kjo ishte vizitë njohjeje, e cila do të pasohet nga të tjera.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›