E Shtunë, 31 Tetor 2026

Durrës, aksion për prishjen e ndërtimeve pa leje

Në shënjestër të ndërtimorëve durrsakë do të jenë 120 objekte pa leje në zonën e shëtitores së qytetit


DURRËS- Inspektorati ndërtimor i Durrësit ka nisur dje një aksion masiv kundër ndërtimeve të paligjshme.


Në planin e prishjes së ndërtimorëve durrsakë ndodhen 120 objekte si garazhe, dyqane apo shtesa pallatesh. Për të gjitha këto pallate ka një vendim prishjeje nga KRRT- ja e bashkisë. Aksioni i djeshëm nisi në zonën rezidenciale të Durrësit, ose e njohur ndryshe si lagjja nr.1.


Kreu i ndërtimorëve të Durrësit, Afrim Bakaj, pohoi dje se ekzistojnë me qindra objekte të tjera abuzive, të cilat do të jenë në shënjestër e aksioneve të radhës. Në lidhje me inertet e krijuara nga prishja e ndërtimeve pa leje, Bakaj ka shpjeguar se do të hiqen nga inspektorati në një fazë të dytë.


Prishja e ndërtimeve pa leje ka liruar një hapësirë publike të konsiderueshme por është shoqëruar edhe me protestat e pronarëve të ndërtimeve.


Për të gjithë personat që kanë kundërshtuar me forcë aksionin janë vendosur gjoba deri në një milion lekë të reja por ka pasur edhe raste që janë dërguar për procedim penal. Sipas planit, pasi të përfundojë në shëtitoren bregdetare, aksioni për shembjen e objekteve të jashtëligjshme do të transferohet në lagjen numër 17 të Durrësit.


Afrim Bakaj tha "tashmë që sezoni turistik ka përfunduar do të ndërmarrim aksione masive për të rifituar hapësirat publike. Gjatë sezonit veror, zhurmat e fadromave mund të largonin turistët". Por gjatë kësaj kohe, inspektorati ka kryer inventarizimin e objekteve të jashtëligjshme, për të nisur gjatë shtatorit ekzekutimin e vendimeve për prishje. M. B


 

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›