E Shtunë, 31 Tetor 2026

G20-ta e përçarë për reformën bankare

Bota nuk mund të jetë e vetëkënaqur për rimëkëmbjen ekonomike dhe do t'i duhet të mbajë të aktivizuara paketat stimuluese të ekonomisë edhe gjatë vitit të ardhshëm, deklaroi sot kryeministri britanik Gordon Brown.
Në fjalimin e tij gjatë takimit të ministrave të Financave dhe guvernatorëve të bankave qendrore të grupit të 20 vendeve të zhvilluara dhe në zhvillim në Londër, Brown vuri në dukje përmirësimet për sa i përket parashikimeve optimiste për ekonominë, pas krizës bankare të vitit të kaluar, por ndërkohë theksoi se duhet ende shumë punë për të garantuar një rimëkëmbje të qëndrueshme nga recesioni më i rëndë që pas Luftës II Botërore."Rreziku i gjykimeve të gabuara është shumë i lartë. Kështu një vendim tani për tërheqjen e masave të jashtëzakonshme që kemi marrë, sipas gjykimit tim, do të ishte një gabim serioz", deklaroi Brown. "Kur ende pritet të akordohet gjysma e shumës së përgjithshme prej pesë trilionë dollarësh të ekspansionit fiskal, mendoj që kursi matur i vendeve të G20-s do të ishte akordimi i planeve fiskale dhe paketave ekonomike që kemi miratuar dhe të garantohet që ata zbatohen plotësisht gjatë këtij viti dhe vitin e ardhshëm", theksoi kryeministri britanik.Ndërkohë që krerët e financave dhe të bankave qendrore të G20-s ranë dakord që paketat stimuluese të ekonomisë duhet të mbeten në fuqi, e njëjta gjë duket se nuk ka ndodhur në debatin lidhur me mënyrat për rimëkëmbjen e sistemit bankar dhe për të garantuar mos përsëritjen e krizës së kreditit, që zhyti botën në recesion të thellë ekonomik.
Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) tani parashikon se ekonomia botërore do të tkurret me 1.3 për qind gjatë këtij viti, një shifër pak më e ulët se parashikimi i prillit prej 1.4 për qind, dhe një rritje ekonomike 2.9 për qind në vitin 2010, ose më e lartë se 2.5 për qind që ishte parashikuar më parë.Politikëbërësit ndërkombëtarë po tregohen të matur para se të shpallin fitoren ndaj krizës, pasi papunësia pritet të vazhdojë të rritet dhe sistemi financiar vazhdon të jetë shumë delikat pas një krize të rëndë dyvjeçare, që çoi drejt falimentimit disa nga bankat më të njohura të botës.
Kryeministri britanik deklaroi se klubi i 20 vendeve të zhvilluara dhe në zhvillim duhet të mendojë jo vetëm për të ardhmen e afërt, por edhe për gjetjen e rrugëve për një ekonomi botërore më të sigurtë në terma afatgjatë."Në gjykimin tim, një rimëkëmbje e qëndrueshme nënkupton shmangien e pabarazive të ndërmjet vendeve të ndryshme", deklaroi ai.
"Është e domosdoshme që vende me deficite të mëdha të llogarisë korente të rrisin eksportet e tyre. Po kështu, vendet me suficite të mëdha të llogarisë së tyre korente duhet të rrisin kërkesën për mallra dhe shërbime nga vende të tjera", theksoi Brown. Takimi i sotëm në Londër do të hedhë bazat për samitin e liderëve të G20-s në Pittsburgh, SHBA, këtë muaj.Rregullimi i sistemit bankar duket se është çështja kryesore që ndan krerët e financave të G20-s.
Sekretari amerikan i Thesarit, Timothy Geithner ka bërë thirrje për forcimin e kërkesave për kapitalet bankare, me qëllim kufizimin e disa praktikave që lidhen me borxhet e këqija, që konsiderohen si shkaku kryesor i krizës aktuale.Por ndërkohë, shefja e financave franceze, Christine Lagarde deklaroi dje se nuk e kuptonte këtë argument. Një burim zyrtar deklaroi për Reuters se edhe Gjermania ishte kundër idesë së amerikanëve.Të dy këto ekonomi të rëndësishme evropiane kërkojnë gjithashtu vendosjen e kufizimeve strikte mbi pagesat dhe shpërblimet e bankierëve.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›