E Shtunë, 31 Tetor 2026

Durrës, arrestohen bashkëpunëtorët e autorit të plagosjes së policit

Policia e Durrësit është ende në kërkim të 19- vjeçarit që plagosi ditën e hënë një polic dhe shokun e tij për motive banale në një nga lokalet e qytetit të Durrësit. Por ndërsa është në kërkim të agresorit, policia nuk ka humbur kohë të vërë në pranga dy shokët e 19- vjeçarit Lama, të cilët kanë qenë në lokal bashkë me 19- vjeçarin dhe sipas dëshmive që ka mbledhur policia ata kanë bashkëpunuar me agresorin. Ndalimi dhe më pas arrestimi i dy shtetasve u bë falë një pune të mirëorganizuar nga shërbimet e Seksionit të për Hetimin e Krimeve kundër Personit. Burime nga policia bëjnë të ditur se shtetasit u prangosën gjatë një kontrolli të ushtruar në banesat e këtyre të fundit, ndërsa akuzohen si bashkëpunëtorë të plagosjes së ndodhur të hënën në një lokal të qytetit të Durrësit, ku mbeten të plagosur me armë zjarri polici, Vlash Ashiku, 27 vjeç si dhe Shehad Muda, shoku i tij. Të arrestuarit janë pikërisht shtetasi Alban  Mancja, 24 vjeç, me banim në lagjen numër 17 si dhe shtetasi Amarildo Gjeka, 23 vjeç,  edhe ky me banim në të njëjtën lagje, i cili kishte vetëm pak ditë që ishte kthyer nga Italia, vend ku jetonte prej kohësh. Arrestimi i tyre u bë për arsye se në bashkëpunim me shtetasin Armando Lamën, 19 vjeç, pas një konflikti për motive të dobëta kanë tentuar të vrasin me armë zjarri, pistoletë, shtetasin Ermal Tuka kamerier në lokalin e shtetasit Aleksander Hasi, ku për pasojë mbeten të plagosur dy shtetas, njëri prej tyre efektiv policie në Dibër. Nga ana e policisë po vazhdon puna për kapjen e autorit tjetër të kësaj ngjarjeje, i cili është shpallur në kërkim. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës për veprat penale të Vrasje me dashjee mbetur në tentativë kryer në bashkëpunim dhe Mbajtje pa leje  e armëve luftarake. Ngjarja është shkaktuar nga një debat që ka nisur fillimisht midis shtetasit Armand Lama dhe kamerierit. Personi në fjalë ka qenë bashkë me shokët e tij në një tavolinë, por në një moment i ka thirrur kamerierit se nuk kishte pastruar tavolinën ku ai ndodhej me shokët e tij. Këtu debati shoqërohet me të shara, ndërkohë që 19- vjeçari është ngritur në këmbë dhe është afruar tek banaku me të shara në drejtim të kamerierit. Shumë shpejt ai ka nxjerrë një pistoletë, por pa e drejtuar nga kamerieri. Duke parë skenën, punonjësi i policisë, 27- vjeçari Vlash Ashiku është ngritur për të shmangur ndonjë ngjarje të rëndë. Nga shkreja e pistoletës, Vlash Ashiku u plagos në kofshën e djathtë, ndërkohë që i njëjti plumb duke bërë rikoshet, plagosi edhe shokun e tij, Sehad Muda në shputën e këmbës. Pas ngjarjes në fjalë, Armand Lama ka ikur me shpejtësi, ndërsa në vendngjarje kanë mbërritur efektivat e policisë, të cilët janë vënë në kërkim të Lamës, ndërkohë që kanë arritur të vënë në pranga dy shokët e tij që janë konsideruar bashkëpunëtorë në këtë krim.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›