Shoqata e të verbërve, sot në protestë para Ministrisë së Punës
Me mijëra qytetarë të verbër të Shqipërisë përfaqësues të gjithë komunitetit të të verbërve nga i të gjitha trevat e vendit, do të protestojnë sot për të mbrojtur të drejtat tyre të shkelura nga qeveria. Ne duam të tërheqim vëmendjen e kryeministrit vetëm për pak minuta. Ai duhet të dijë se ne nuk po kërkojmë shtesa apo përmirësime siç kanë kërkuar grupe te tjera shoqërore. Ne kërkojmë mbrojtjen e të drejtave dhe standardeve të fituara që nga viti 1996. Ne kërkojmë kthimin e atyre te drejtave që na janë shkelur dhe mohuar, ne kërkojmë kthimin e standardeve që kishim më parë.
Ne kërkojmë shfuqizimin e vendimit të qeverise nr. 870 dt 18. 06. 2008. Ky vendim ka ligjëruar shkeljet e mëparshme për mos indeksimin e pagesës se verbërisë, shprehen ato. Shoqata e të Verbërve të Shqipërisë kërkon kthimin e detyrimeve të prapambetura që qeveria shqiptare i kësaj shtrese. Sipas tyre, qeveria duhet të respektojë vendimin 277 që nga Gushti i vitit 2005 deri më sot qeveria i ka borxh komunitetit të të verbërve rreth 8 milion dollarë. Ndërkaq, ata kërkojnë respektimin e vendimit 632 dt 21.11.2001 për strehimin e të verbërve. Ky vendim është në fuqi pasi bazohet në ligjin për statusin e te verbrit. Qeveria nuk ka respektuar ritmet e financimit për strehimin e të verbërve të bëra në vite te shkuara për të verbrit. Ne kërkojmë zhvillimin e politikave fiskale që lehtësojnë jetën ekonomike të të verbërve dhe të mundësojnë integrimin e tyre shoqëror nëpërmjet një punësimi masiv. Ne i bëjmë thirrje qeverisë të tregojë vëmendjen që meritojmë. Nuk mund të pranojmë shkeljen e të drejtave tona, nuk mund të pajtohemi me përkeqësimin e standardeve dhe varfërimin tone te mëtejshëm, theksoi SHVSH. Kjo shoqatë i bën thirrje qeverisë shqiptare të dëgjojë zërin e tyre, të konsultohet me to dhe ti ndalojë ministrave të saj të përdorin alibinë duke u marrë atyre zërin dhe duke jua dhënë fondacioneve apo organizatave që realisht nuk përfaqësojnë të verbrit. I bëjnë thirrje qeverisë të miratoje projektligjin e propozuar nga Këshilli Kombëtar i Personave me Aftësi të kufizuar për përfaqësimin demokratik të grupeve tona. Së fundmi Shoqata e të Verbërve të Shqipërisë i deklarojnë qeverisë se janë të hapur të bashkëpunojnë për zgjidhjen e problemeve të tyre, por pa asnjë paragjykim, në qoftë se verbëria dhe shurdhëria e qeverisë do të vazhdojë më tej, kategoria e të verbërve do te përshkallëzojë veprimet e tyre me mosbindje civile spektakolare, greva urie dhe veprime të tjera të pa parashikueshme.