E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topalli kërkon imunitetin e Nëranxit në kompensim të imunitetit të Bashës dhe Mediut

Kuvendi voton pas 2 javësh për imunitetin e Neranxit  
Heqja ose jo e imunitetit të deputetit Nikollaq Neranxi, do të vendoset nga Kuvendi gjatë seancës plenare të datës 23 prill. Këshilli i Imuniteteve dhe Mandateve, në mbledhjen e radhës, vendosi që në këtë datë të marrë në shqyrtim heqjen e imunitetit të deputetit të Lëvizjes Socialiste për Integrim, Nikollaq Neranxi. Ky vendim u mor me konsensus nga Këshilli për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin, i cili nën drejtimin e kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli, shqyrtoi për të dytën herë kërkesën e organit të akuzës për heqjen e imunitetit të deputetit Neranxi. Në këtë mbledhje, sipas nenit 118 të Rregullores, deputeti Neranxi ishte njoftuar për të paraqitur shpjegimet e tij me shkrim apo me gojë, ai nuk u paraqit në këtë mbledhje, por kishte depozituar një material me shkrim, që iu vu në dispozicion anëtarëve të Këshillit. Kryetarja Topalli ka shprehur mendimin për marrjen në konsideratë nga ana e Këshillit të këtij materiali të paraqitur prej tij dhe veçoi se duhet të procedojë sa më shpejt për kërkesën për heqje imuniteti, siç ka ndodhur në raste të mëparshme me dy deputetët e tjerë Basha dhe Mediu. Ne nuk duhet ta shtyjmë më dhe duhet të procedojmë menjëherë, si në çdo rast kur është kërkuar heqja e imunitetit për shkak të korrupsionit. Do të veprojmë mbi të njëjtin princip dhe pastaj do të jenë të tjerët që do të gjykojnë. Mendoj të bëjmë një raport, duke marrë parasysh materialin e deputetit Neranxi dhe atë të ardhur nga Prokuroria dhe ti kërkojmë seancës plenare votimin për heqjen e imunitetit, u shpreh kryetarja e Kuvendit. Ndër të tjera, gjatë fjalës së saj në këtë mbledhje, Topalli sqaroi se byroja juridike do të hartojë draft-raportin përfundimtar për këtë çështje, i cili, pas miratimit nga Këshilli, do të kalojë për votim në seancë plenare. Principi ynë ka qenë gjithmonë për të hequr imunitetin. E kemi bërë edhe për dy raste të tjera dhe qëndron edhe për këtë rast, ka theksuar Topalli. Këshilli vendosi që të procedohet menjëherë me hartimin e draft raportit, që do të miratohet në mbledhjen e ardhshme të Këshillit. Sipas pikës 4 të nenit 118 të Rregullores, kjo çështje do të jetë në pikën e parë të rendit të ditës në seancën plenare të datës 23 prill 2009.
Hetimet për deputetin e LSI
Hetimet e organit të akuzës flasin për shkelje financiare të kryera nga kompania që mban emrin e deputetit Neranxi, të cilat kapin shifrën e rreth 136 milionë lekëve dëm ndaj shtetit shqiptar. Bëhet fjalë për kalim mallrash pa doganë, të cilat i referohen periudhës së viteve 2004-2005. Këtë fakt e zbuloi fillimisht drejtoria e Tatimeve, ku pas një inspektimi ka rezultuar se gjatë vitit 2004-2005 janë bërë abuzime për kalimin e mallrave, pa doganë. Prokuroria e Përgjithshme i ka dërguar një shkresë Kuvendit, për të kërkuar leje për ndjekje penale për deputetin Neranxi. Para një viti tatimet denoncuan në Prokurorinë e Tiranës deputetin e LSI-së, Nikollaq Neranxi. Kërkesa për heqjen e imunitetit drejtuar kuvendit është firmosur nga Prokurorja e Përgjithshme, Ina Rama, pas hetimeve të prokurorëve, të cilët kanë arritur të zbulojnë shkelje e deputetit, i cili u padit penalisht në Prokurorinë e Përgjithshme, në janar të 2009 nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave.
Reagimi i Neranxit
Pas depozitimit të kërkesës së Prokurorisë së Përgjithshme në Kuvend, ka reaguar menjëherë deputeti Neranxi, i cili ka deklaruar se është i gatshëm të lerë vetë imunitetin dhe të përballet me akuzën duke qenë i bindur në pafajësi. Deklaroj se nisja e gjithë kësaj është një farsë radhe, kundër një opozitari të vendosur. Kjo është një luftë politike e cila tenton të përkthehet edhe si kosto financiare për biznesin e familjes sime. Kjo akuzë vjen në kohën kur unë me fakte, dokumente, lëvizje dhe sinqeritet politik kam denoncuar korrupsionin e qeverisë, i cili jo vetëm ka varfëruar qytetarët e këtij vendi, por ka sakatosur edhe biznesin shqiptar në tërësi. Unë kam denoncuar vjedhjet e pronave dhe tokave në Shqipëri dhe në veçanti në vendlindjen time Himarë, unë kam denoncuar skemat e evazionit fiskal të aplikuara nga rrjeti nepotik i Ridvan Bodes, unë kam kontribuar në vise të ndryshme të vendit për përkrahjen e të varfërve dhe të vobektëve të kësaj shoqërie, ka theksuar ai.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›