E Diel, 1 Nëntor 2026

Durrës, arrestohet një 30-vjeçar i dënuar për vjedhje me dhunë

DURRES - Policia e Durrësit arrestoi sot një 30-vjeçar, i cili ishte shpallur në kërkim për vjedhje me dhunë. Burime zyrtare nga policia bëjnë të ditur se në pranga ka rënë Sabri Verteniku, banues në lagjen Nr.14 në Durrës , i dënuar më parë për veprën penale të “Vjedhjes me dhunë, kryer në bashkëpunim”.

“Ky shtetas akuzohet lidhur me ngjarjen e ndodhur më datë 26 Prill të këtij viti, ku në Shkozet, nën kërcënimin e një arme zjarri, pistoletë, i ka vjedhur shtetasit I.Xh., 30 vjec, banor i së njëjtës lagje, i punësuar si taksist sendet personale, një sasi parash në portofol si dhe autoveturën e markës “Mercedes Benz” Taksi me targa DR 2983D.”- bëri të ditur policia.

Ndërkohë lidhur me ngjarjen në fjalë Gjykata e Rrethit Durrës, me vendim date 23.06.2013 ka caktuar masën e sigurimit “Arrest ne burg “ në ngarkim të tij. 

Gjatë kontrollit personal ushtruar në momentin e kapjes, shtetasit në fjalë iu konstatua në brez dhe bllokua një armë zjarri, pistoletë e kalibrit 7,65 mm me krëhër me fishekë nga të cilët një në folenë e fishekut (gatishmëri për qitje).

“Lidhur me këtë shtetas po vijon puna për dokumentimin ligjor të aktivitetit të tij kriminal në drejtim të veprave penale të së njëjtës natyrës ndodhur në qytetin e Durrësit në kohë. Materialet shtesë ndaj tij për veprën penale të “Vjedhjes me armë” si dhe për atë të “Mbajtjes se armeve luftarake pa leje” iu përcollën Prokurorisë së Rrethit Durrës.”- thuhet në njoftimin e policisë.

(er.nu/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›