E Shtunë, 31 Tetor 2026

Durrës, art aplikativ e tablo klasike në një ekspozitë

DURRËS- Rreth 50 tablo të stileve dhe teknikave krejt të ndryshme janë ekspozuar këto ditë në Galerinë e Arteve në qendër të qytetit të Durrësit.

18 prej tyre janë dizenjuar nga Gedmond Lushka, i specializuar në arte aplikative dhe që drejton një biznes që ka në qendër pikërisht artin e tij. Loja me pasqyrat dhe format e tyre përbëjnë thelbin e tablove, kryesisht prej xhami, të artistit nga Tirana.

Sipas drejtuesve të galerisë, punimet e veçanta, shpesh herë provokuese, kanë tërhequr vëmendjen e shikuesve të shumtë vendas dhe tursitëve të huaj.

Në pjesën e dytë të galerisë kanë zënë vend punimet e sallonit “Arte”, me drejtues galeristin privat Çaush Vathi. I njohur si organizator i Kolonisë pranverore të piktorëve, Vathi ka sjellë në galerinë e re të Durrësit 32 tablo të autorëve të njohur si Hasan Nallbani, Anastas Lako, Qamil Prizreni, Pashk Pervathi, Kujtim Buza, etj.

Që nga fillimi i muajit qershor në galerinë e arteve në Durrës janë hapur pesë ekspozita të autorëve të ndryshëm shqiptarë, ndërsa deri në fund të muajit gusht është programuar ekspozimi i veprave nga 4 autorë të tjerë.

Çelja e këtyre ekspozitave është një mundësi e mirë për turistët vendas dhe të huaj, që kanë zgjedhur për të pushuar në qytetin e Durrësit.
(atsh/BalkanWeb)

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›