E Diel, 1 Nëntor 2026

Durrës, asgjësohen mbi 17 milionë lekë ushqime të skaduara

Tregtimi i produkteve ushqimore jashtë çdo standardi higjieno-sanitar, pa etiketim në gjuhën shqipe apo të skaduara, në jo pak  raste ka vënë në rrezik jetën e konsumatorit.
Duke u nisur nga ky fenomen, Inspektorati Ushqimor në Durrës, në bashkëpunim me inspektoratin sanitar ka ushtruar kontrolle në të gjithë pikat ushqimore. Nga verifikimet janë konstatuar mjaft shkelje, që konsistonin në mungesën e etiketave në gjuhën shqipe, data e skadencës, apo kushtet e papërshtatshme në të cilat tregtohen këto produkte ushqimore. Për pasojë janë bllokuar dhe asgjësuar mbi 1005 artikuj ushqimorë jashtë standardit, me një vlerë prej 17 milion e 550 mijë lekë. Produktet ushqimore të asgjësuara janë të llojit të ndryshëm, si lëngje frutash, djathë, kos, mish si dhe produkte të tjera të ambalazhuara. Gjithashtu, nga ana e inspektoratit janë marrë dhe analizuar 216 mostra të kripës së gjellës për përmbajtjen e jodit, ku 98 për qind e rasteve ka rezultuar brenda standardit, ndërsa pjesa tjetër jo. Raste të tilla, sipas informacioneve të marra nga Inspektorati Ushqimor Durrës, janë të shumta. Sipas drejtorisë së bujqësisë, shkeljet janë të ndryshme, duke filluar nga ambalazhimi, etiketimi, kushtet në të cilat tregtohen etj.  Për të dhënë një ide sa të rrezikuar janë konsumatorët durrsakë nga produktet ushqimore jashtë cilësisë, mjafton të përmendim se në 9 muajt e fundit janë asgjësuar plot 3251 kuintalë ushqime të skaduara, por ende mijëra kuintalë të tjerë ushqime të tilla të ardhura nga importi qarkullojnë lirisht në treg pasi DBU dhe instituti i higjienës nuk ushtrojnë kontrolle të shpeshta sidomos në portin e Durrësit, ku është pika kryesore e futjes së këtyre ushqimeve. Kjo situatë është tepër e rrezikshme për konsumatorin durrsak, i cili gjendet i pambrojtur për shkak të indiferencës së organeve të qeverisë që nuk kontrollojnë produktet e shumta ushqimore që hyjnë nga importi apo edhe të të tjerave që prodhohen në punishte dhe fabrika të ndryshme në klandestinitet dhe pa cilësi. Konsumatori mbetet i rrezikuar ndaj sëmundjeve nga asortimentet që tregtohen në këto ambiente si djathi, gjalpi, gjiza etj. Edhe pse shpeshherë është ngritur zëri për kushtet jo higjienike në të cilat tregtohen mallrat e konsumueshme, deri tani nuk është mbyllur asnjë nga subjektet. Ndërsa, institucionet përkatëse, janë mjaftuar vetëm me vënia e disa gjobave apo asgjësimin e produktit ushqimor.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›