E Diel, 1 Nëntor 2026

Topalli akuzon Ramën se nuk mund të bashkojë shqiptarët dikush që smban dot familjen e tij

Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli i ka dhënë tone politike temës së dhunës në familje. Megjithëse nuk e përmendi me emër, zonja Topalli sulmoi kreun e opozitës Edi Rama dhe lejtmotivin e tij për bashkimin e shqiptarëve. Unë refuzoj të pranoj një person që ka qenë i paaftë të mbajë të mbledhur një familje, të flasë për bashkimin e shoqërisë shqiptare. Nuk e lejoj një njeri të flasë për shoqërinë e madhe kur nuk ka mbajtur të bashkuar një familje të vogël. Nuk pranoj as moralin e këtij njeriu, që është një moral hipokrizie, ka pohuar Topalli. Gjatë takimit që kryetarja e kuvendit, Topalli ka zhvilluar me studentët e universitetit Aleksandër Xhuvani, në Elbasan ka premtuar se në mandatin e dytë investimet në arsim, do të shkojnë në 6% të buxhetit të shtetit. Në mandatin e dytë investimet në arsim, do shkojnë në 6 % të buxhetit të shtetit, nga 4 % që janë aktualisht. Tek mësuesi dhe nxënësi, do të fokusohen politikat tona arsimore. Në takimin me të rinjtë, ku shumica ishin vajza, Kryetarja e Kuvendit, tha se ndihet krenare që gjatë këtij mandati, arsimi, shkolla dhe mësuesit, janë trajtuar si prioritet. Të përballemi me sfidën e arsimit, është absolutisht investimi me të cilin, kurrë nuk humbet. Investimet në arsim shënojnë progresin më të madh, të bërë në të gjitha fushat. Buxheti i arsimit është dyfishuar dhe po ashtu janë dyfishuar pagat e arsimtarëve, theksoi ndër të tjera Kryetarja e Kuvendit. Duke shtjelluar para audiencës studentore, reformat e ndërmarra në këtë mandat qeverisës, Kryetarja e Kuvendit tha se sfidat ekonomike, infrastrukturore, integrimi dhe i të gjitha fushave po përballohen me sukses. Ne kemi përmirësuar infrastrukturat dhe kemi bërë që të kemi një rritje ekonomike të pranueshme për vendet e tjera me zhvillim ekonomik të fortë. Ne ia kemi ndryshuar fytyrën Shqipërisë. Ne sot mund të themi, që kemi realizuar ëndrrën më të madhe, integrimin në NATO. Kanë mbetur pak ditë nga Samiti në Strasburg, ku Shqipëria do ta shikojë veten anëtare fuqiplotë, me të drejta dhe obligime, si faktor kryesor, global politik, ekonomik dhe militar. Kjo është një ngjarje historike, vijoi Topalli.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›