E Diel, 1 Nëntor 2026

Durrës, gjenden të varur 2 persona, njëri fëmijë, tjetri i ri

Një bilanc tragjik ka patur dita e djeshme në qytetin e Durrësit, ku një 28- vjeçar ka varur veten, ndërkohë që edhe një fëmijë 8- vjeçar është varur aksidentalisht duke luajtur. Blenard Molla, 28 vjeç, është gjetur i varur në zdrukthëtarinë që kishte marrë me qira në lagjen 15, tek kapanonët e ish zdrukthëtarisë pranë parkut të autobusëve. Ngjarja ka ndodhur në orët e para të mëngjesit. Trupi i pajetë i viktimës është konstatuar fillimisht nga i ati, i cili në kohën që ka shkuar për të punuar në një ambient që kishte marrë me qira së bashku me të birin, e ka gjetur atë të vetëvaruar. Në vendngjarje kanë mbërritur efektiva të policisë si dhe ekipi mjekësor, por nuk kanë mundur të bëjnë asgjë për jetën e të riut, pasi ai kishte ndërruar jetë përpara se familjarët ta gjenin. Prej vitesh Molla punonte në profesionin e marangozit, të cilin e ka mësuar nga i ati, Luan Molla. Ata punonin të dy bashkë në lagjen 15 në një ambient që e kishin marrë me qira. Nga hetimet e para të policisë dyshohet se shkaku i vetëvarjes, është depresioni, vështirësitë ekonomike. Këtyre problemeve të Mollës i janë shtuar edhe problemet shëndetësore të gruas. Sipas familjarëve të marrë në pyetje nga policia, 28- vjeçari, si pasojë e këtyre shqetësimeve kohët e fundit kishte shfaqur shenja depresive, rrinte i mbyllur, nuk komunikonte me askënd, ndërkohë që vendimin për ti dhënë fund jetës e ka marrë natën vonë duke ikur nga shtëpia. Molla kishte mbyllur nga brenda derën e zdrukthëtarisë dhe ishte varur me litar. Ai ishte banor në lagjen 8 dhe kishte një vajzë tre vjeçe, ndërkohë që priste djalë nga gruaja, e cila ishte shtatzënë. Bashkëshortja e tij ishte e sëmurë me zemër dhe pas një kohe të shkurtër pritet të lindë fëmijën e dytë, ndërkohë që mjekët po kujdesen maksimalisht për bashkëshorten e Mollës që ndodhet në një gjendje shumë të rëndë shoku pas vetëvarjes së bashkëshortit të saj. Ndërkaq, një fëmijë 8 vjeç ka qenë viktima e dytë në Durrës që është gjendur i varur. Ai është Agustin Lasku, banor i lagjes 15 në Spitallë të Durrësit. Sipas burimeve të policisë, Lasku është gjetur i varur rreth orës 15:00 në oborrin e shtëpisë së tij. Lasku ishte i ardhur me familjen nga veriu dhe ishte fëmija më i vogël i familjes Lasku, që kishte tre djem. Burime të policisë dyshojnë se kjo ngjarje mund të jetë aksidentale, pasi 8- vjeçari ishte duke luajtur në lisharësin që ndodhet në oborrin e shtëpisë, me disa fëmijë të tjerë bashkëmoshatarë të tij. Gjatë lojës mendohet se Lasku është kapur keq dhe është mbytur me litarët e lisharësit. Pjesëtarët e familjes kanë qenë të parët që kanë parë trupin e djalit të tyre të mbytur me litarë dhe e kanë dërguar në spital, por nuk ka patur asnjë shpresë për djalin e vogël. Policia nga ana e saj pasi ka kryer hetimet e para ka arritur në konkluzionin se ngjarja ishte aksidentale dhe mungesa e vëmendjes së fëmijës ka bërë që ai të bllokohet dhe të mbytet nga litarët e lisharësit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›