Festivali i Tetë Shopenian pret artistët nga Kosova
Në TKOB vazhdon Festivali i Tetë Shopenian, i cili zhvillohet nga datat 22 prill deri në 12 maj.Gjatë ditëve të këtij festivali krahas veprave të Shopenit, për publikun do të luhen edhe vepra të kompozitorëve të tjerë të njohur botërorë. Për publikun në natën e parë të këtij festivali u luajtën vepra të njohura nga Shopen, nga nxënësit e liceut Jordan Misja.
Pianistja Anita Tartari si presidente e Shoqatës Frederik Shopen tregon se kjo shoqatë ka vite që është krijuar dhe në aktivitetin e saj gjithmonë ka dhënë kontribut në zhvillimin e jetës kulturore të kryeqytetit. Kjo shoqatë është formuar që në vitin 1995 dhe zhvillon gjithmonë aktivitete të përvitshme që janë gjithmonë në pranverë. E reja që sjell në çdo vit është gjallërimi i stinës koncertore të kryeqytetit, dhe kjo realizohet me artistët më të mirë shqiptarë, por nuk mungojnë dhe të huaj. Kjo ndihmon shumë në zbulimin e talenteve të reja në artin e interpretimit bashkëkohor, theksoi pianistja Tartari. Sipas saj në këtë festival marrin pjesë rreth 60 fëmijë artistë, të cilët janë përzgjedhur mbi bazën e një konkursi. Koncertet që po zhvillohen në TKOB dhe në Durrës po marrin duartrokitjet e publikut, dhe sipas saj është një sukses që ky festival mbërriti në edicionin e tetë të tij. Ndërkohë që nesër seria e koncerteve do të vazhdojë me pianistet shqiptare Rudina Ciko dhe Fatmira Keta. Në programin muzikor të kësaj duoje janë Schubert dhe Mendelsson. Një tjetër recital do të japë pianistja Lule Elezi nga Kosova në datën 12 maj, ora 19:00, në hollin e TKOB. Qëllimi i festivali është promovimi i sa më shumë talenteve te reja në fushën e muzikës. Organizimi i këtij festivali nxit interesimin e interpretuesve dhe u krijon mundësi për tu angazhuar në shpalosjen e aftësive interpretuese, si dhe bën të mundur shkëmbimin e eksperiencave ndërmjet shkollave të ndryshme pianistike.