E Diel, 1 Nëntor 2026

Durrës, gjendet në Shkozet një predhë aktive e Luftës së Dytë Botërore

Specialistët antieksplozivë "sekuestrojnë" predhën për ta ç'aktivizuar
Një predhë, e cila mendohet të jetë aktive është gjetur në mes të një lagje të banuar në Shkozet Durrës. Disa fëmijë të kësaj lagjeje kanë gjetur në kohën që luanin, një predhë të Luftës së Dytë Botërore. Predha është gjetur në anë të një kanali të ujërave të zeza, i cili sapo ishte pastruar nga mjetet e bashkisë. Predha kishte gjatësi 110 cm dhe me peshë 120 kg dhe është predhë topi e përdorur nga ushtria gjermane. Pas njoftimit të policisë, në vendin e ngjarjes kanë mbërritur një ekip i njësisë antieksploziv, i cili ka marrë në dorëzim predhën, duke e dërguar atë në poligonin e plasjeve për ta çaktivizuar. Aktiviteti i pastrimit të kanalit u pezulluar, ndërsa u njoftuan trupa të xhenios të merrnin predhën për ta asgjësuar diku gjetke. Por ky nuk është rasti i parë kur një predhë që mendohet të jetë aktive, gjendet në zonat e banuara të rrethit të Durrësit. Pasi predha të tjera janë gjetur si në zona periferikë të banuara të qytetit, apo brenda territorit të portit të Durrësit. Predha mësohet se do të ishte e rrezikshme, në rast se do të aktivizohej, por për fat sapo fëmijët e kanë parë mes dherave të zbuluar të kanalit, kanë njoftuar prindërit e tyre dhe më pas është njoftuar edhe policia.
Bombardimet në Shkozet
Zona e Shkozetit ka qenë zona më e prekur nga bombardimet gjatë Luftës së Dytë Botërore në qytetin e Durrësit nga ushtritë nazifashiste. Fakti që predha ishte në një vend me shumë lëvizje, në një zonë të frekuentuar nga fëmijët si dhe banorë të zonës, dhe fare pranë banesave e ka bërë më kritike situatën dhe më delikate, duke kërkuar ndërhyrjen e ekspertëve. Specialistët e njësisë antieksploziv që mbërritën nga Tirana, nënvizuan se ajo përbënte municion të topave luftarakë, 65 vjet më parë. Pas përfundimit të procedurave përkatëse, predha në masa të forta sigurie u dërgua në drejtim të repartit special të xhenios në Tiranë, ku do të bëhet dhe çaktivizimi dhe shkatërrimi i saj. Nuk është hera  e parë që në qytetin bregdetar të Durrësit gjende predha që mendohet të jenë të periudhës së luftës së dytë botërore. Kohë më parë gjatë gërmimeve për thellësinë e portit dragat gërmuese të kompanisë daneze "Rhode and Nielsen" nxorën nga thellësia predha të Luftës së Dytë Botërore, të cilët ishin dhe një nga shkaqet e ndërprerjes së  punimeve për thellimin e portit. Sipas specialistëve u tha se predhat ishin aty që nga koha e bombardimeve të gjermanëve, por dhe të aleatëve gjatë periudhës së luftës. Madje këtu ndikoi edhe minimi që i bënë gjermanët bregdetit pas largimit nga territori ynë. Po kështu në mënyrë krejt të rastësishme peshkatarët e portit, gjetën një tjetër predhë luftarake, në afërsi të basenit. Po kështu vetëm 25 kilometra larg qytetit të Durrësit, në zonën e Ishmit janë gjetur dhjetëra predha të cilët i përkisnin periudhës së luftës së Dytë Botërore.

Email This Klikime: 4

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›