E Diel, 1 Nëntor 2026

Durrës, gushti regjistron më shumë udhëtarë se korriku

Gjithashtu, tragetet dhe mjetet e tjera të lundrimit kanë transportuar më shumë udhëtarë se gushti i vitit 2009. Sipas statistikave operative të Autoritetit Portual, vetëm në periudhën 1- 19 gusht 2010 katër katamaranët dhe 17 tragetet që janë vënë në dispozicion të udhëtarëve, kanë transportuar drejt porteve të Barit, Ankonës dhe Trieste dhe anasjelltas, më shumë se 134 mijë udhëtarë, ose 3800 udhëtarë më shumë se sa gjatë gjithë muajit paraardhës.

Burimet shtojnë se lundrimet me tragete gjatë stinës së verës janë shfrytëzuar kryesisht nga bashkatdhetarët tanë nga Kosova, të cilët menjëherë pas mbërritjes në Durrës i janë drejtuar masivisht rrugës së re Durrës-Kukës-Morinë me automjetet e tyre personale.

Pas përfundimit të pushimeve, udhëtarët shqiptarë dhe të huaj kanë zgjedhur përsëri Durrësin për rikthimin drejt vendeve të Evropës perëndimore. Gjatë javës së fundit, numri i udhëtarëve që largohen nëpërmjet portit të Durrësit është 2-3 herë më i lartë se sa i atyre që mbërrijnë në qytetin bregdetar.

Gjatë 19 ditëve të para të këtij muaji tragetet kanë transportuar mbi 37 mijë autovetura, ose 5 mijë autovetura më shumë se sa gjatë gjithë muajit korrik të këtij viti. Vënia në funksion e 12 sporteleve të reja të kontrollit kufitar, të cilat punojnë paralelisht me 23 sportele në sheshin ekzistues të trageteve në portin detar, kanë shkurtuar ndjeshëm kohën e përpunimit të udhëtarëve dhe të automjeteve.

Gjatë muajit gusht të këtij viti pritet që numri i udhëtarëve dhe automjeteve që kanë frekuentuar tragetet të jetë 20-30 për qind më i lartë se sa ai i vitit të kaluar, përfunduan burimet portuale.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›