E Diel, 1 Nëntor 2026

Durrës, hakmerret ndaj pronarit të lokalit, futet me makinë brenda lokalit

Një 29- vjeçar është vënë në pranga nga policia e Durrësit, pasi kishte shfryrë nervat duke shkatërruar një lokal në qytetin bregdetar. 29- vjecari Edmond Hadroi, lindur në Pukë dhe banues në Durrës, në lagjen numër 13 Plazh, ka kryer veprën penale të shkatërrimit të pronës. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 14:30 të ditës së djehesme, në lagjen nr. 11 të qytetit. Pas një grindjeje të çastit me pronarin e lokalit "Bar-Korca", 29- vjeçari Hadroi ka marrë mjetin e tij tip Benc me targe DR 8490 B dhe është drejtuar nga dera kryesore e lokalit, duke e shkatërruar atë plotësisht. Menjëherë në vendngjarje kanë mbërritur forca të shumta policie, të cilat kanë arritur të marrin në dorë situatën. Në polici janë shoqëruar që të dy protagonistët e ngjarjes, pronari i lokalit si dhe klienti. Por vetëm pas dëshmisë së të dyja palëve si dhe dëshmitarëve të tjerë në vendngjarje, policia e Durrësit ka prerë fletën e arrestit vetëm për 29- vjeçarin Edmond Hadroi. Burimet policore të Durrësit kanë bërë të ditur se shtetasi në fjalë është arrestuar tre orë pas ngjarjes. Edmond Hadroi, banor i lagjes 13 ka qenë në lokalin në fjalë për të drekuar, por rreth orës 14:30 ka nisur të grindet me pronarin e lokalit të njohur, që gjendet në lagjen 11 të Durrësit. Pronari i lokalit ka kërkuar largimin e klientit për shkak të gjendjes së tij të dehur. Por klienti, i cili nuk e ka pritur mirë, ka reaguar në një mënyrë krejt të çuditshme. Grindja ka bërë që ai të zgjedhë një mënyrë krejt të veçantë për t'u hakmarrë. Ka ndezur makinën e tij dhe e ka përplasur me hyrjen kryesore të lokalit. Nga përplasja e makinës është shkatërruar dera prej duralumini si dhe disa tavolina dhe karrige që kanë qenë pas derës. Ngjarja në fjalë ka krijuar panik edhe tek personat e tjerë që kanë qenë në këtë lokal, për shkak se sipërfaqja e brendshme e lokalit nuk është shumë e madhe. Pas ngjarjes, 29- vjeçari është larguar bashkë me makinën e tij, por pas tre orësh ai është arrestuar nga policia e qytetit. 29- vjeçari akuzohet tashmë për veprën penale të shkatërrimit të pronës me dashje.

Email This Klikime: 1

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›