Rrafshohen dhjetëra biznese në lagjen "18 tetori", kundërshtojnë banorët
Dhjetëra biznese, mure mbajtëse e mbrojtje të banesave private dhe një shtëpi banimi janë përballur dje me fadromën e bashkisë, me pretendimin e zgjerimit të rrugës në lagjen 18Tetori, rrugë kjo tepër problematike për shumë vite. Banorët kanë kundërshtuar me forcë prishjen e bizneseve dhe të banesave, pasi sipas tyre bashkia e ka mundësinë e ndërtimit të rrugës, edhe pa ua shkatërruar bizneset me të cilët ata mbajnë familjet.
Në një prononcimi për gazetën tonë, banorët e kësaj lagjeje pohojnë se për të gjitha këto ndërtime që po prishen, bashkia nuk i ka lajmëruar në kohë. Sipas tyre, edhe në fletën lajmërimëruese që u ka ardhur vetëm 24 orë përpara aksionit, nuk ka të shënuar asgjë tjetër veçse do të prishet ndërtimi. Banorët pohojnë se në këtë lajmërim nuk përmendet nëse ka një vendim nga KKRT-ja e bashkisë dhe se nuk pohohet nëse disa prej ndërtimeve që janë në proces legalizimi dhe të disa të tjerave që i kanë me leje do të kompensohen. Madje disa prej banorëve pohojnë se projekti për rrugën është ndryshuar dhe deri edhe tjetërsuar në një pjesë të tij. "Projekti ka ndryshuar nga bashkia me qellim, dhe po ndërtohet një projekt politik. E them këtë pasi në pjesën tjetër matanë rrugës ka vend që rruga të ndërtohet pa prishur asnjë ndërtim, me apo pa leje qofshin këto. Madje them se kreu i bashkisë, Syrja Ormeni ka devijuar qëllimisht projektin, pasi në këtë lagje dy vjet më parë nuk ka marrë asnjë votë. Ne si banorë vërtetë e duam rrugën, por jo të na prishen ndërtimet dhe kryesisht bizneset me të cilat mbajmë familjet tona", pohojnë banorët të irrituar nga urdhri i bashkisë. Sipas banorëve, rruga është e gjerë 7 metra dhe nga pjesa tjetër e saj ekzistuese ka vend që të zgjerohet deri në 10 metra, por që sipas tyre, kryetari i bashkisë nuk e bën qëllimisht për arsye politike një projekt të tillë, ku mund të shmangte tragjedinë e dhjetëra familjeve të kësaj zone. Banorët i kanë bërë thirrje kryetarit të bashkisë, Syrja Ormeni, që të ndërpresë aksionin dhe të rishikojë projektin për arsye se ka kohë për ta zgjeruar rrugën atyu ku ajo ka qenë më parë. Në të kundër, banorët kanë kërcënuar se do ta heshin bashkinë në gjyq dhe do të kërkojnë dëmshpërblim të ndërtimeve që po ua prish bashkia, sipas tyre me pa të drejtë dhe pa asnjë lloj vendimi dhe arsyeje logjike.
Email This Klikime: 2
Email This Klikime: 2