Durrës, kapen 19.7 kg heroinë

Heroina e sekuestruar
Një sasi prej 19.7 kg heroinë është sekuestruar në portin e Durrësit. Lënda narkotike është gjetur në një automjet, gjatë kontrollit të ushtruar nga policia kufitare, e cila më parë mësohet të ketë marrë të dhëna në rrugë operative.
Drejtuesi i automjetit është ndaluar pak para hyrjes në traget nga policia kufitare. Pas një kontrolli të imët, policia ka zbuluar se në makinë, në pjesën e dopjuar te dyshemesë, ishte fshehur lënda narkotike. Pas kësaj policia ka arrestuar në flagrancë Gentian Fejzi, 38 vjeç, lindur në Kolonjë e banues në Tiranë.

Automjeti ku ishte fshehur
Po punohet për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në trafikimin e lëndës narkotike si dhe përcaktimin e itinerarit të saj. Nga te dhënat paraprake hetimore dyshohet se lënda e dyshuar si narkotike vinte nga Maqedonia dhe se destinacioni i saj përfundimtar ishte tregu i shtetit fqinjë Italisë. /N.Brunga/