E Diel, 1 Nëntor 2026

Durrës, kapen katër hajdutë automjetesh, mes tyre edhe një polic

Punonjësi i policisë e kishte blerë me një çmim të "arsyeshëm" automjetin e vjedhur
Një bandë hajdutësh, mes të cilëve edhe një polic, kanë përfunduar në prangat e policisë. Katër persona janë prangosur, pasi akuzohen për vjedhje automjetesh. Seksioni i Luftës Kundër Krimit Ndaj Pronës në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Durrës në bashkëpunim me Shërbimin e Kontrollit të Brendshëm në policinë e Tiranës ka bërë të ditur se mëngjesin e ditës së djeshme ka arrestuar në flagrancë katër persona. Ata janë Martin Arrëza, 22 vjeç nga Korça me detyrë punonjës policie në komisariatin nr 3 në Tiranë, Gentjan Shijaku, 38 vjeç, banor i lagjes 7 në Durrës, Dorian Dedja, 25 vjeç nga Gjinari i Elbasanit dhe Artur Shijaku, 35 vjeç, banor i lagjes 16 në Durrës. Personat në fjalë akuzohen se në bashkëpunim me njëri- tjetrin kanë vjedhur në datën 29 nëntor të vitit të kaluar autoveturën e markës "Volksvagen" me targa TR 0892 G, pronë e shtetasit Neim Zeqiri.
Hetimet
Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm si dhe Drejtoria e Policisë së Qarkut Durrës ka hetuar për një periudhë të gjatë kohore, për të zbardhur ngjarjen që njollosi edhe një tjetër herë figurën e punonjësit të policisë në sytë e qytetarëve. Bashkëpunimi me punonjësit e policisë së dy qyteteve është cilësuar tepër i suksesshëm nga zyrtarët e Ministrisë së Brendshme, pasi solli edhe arrestimin e katër protagonistëve të vjedhjes, përfshirë këtu një punonjës policie. Hetimet e forcave të rendit nuk janë mbyllur me arrestimin e katër shtetasve, duke zgjeruar pistët e dyshimeve edhe më tej. Nga ana e policisë së Durrësit në bashkëpunim dhe me atë të Tiranës, po vazhdon puna për dokumentimin e disa vjedhjeve të tjera të automjeteve të ndodhura muajt e fundit në rrethin e Durrësit, ku dyshohet që protagonistë të këtyre vjedhjeve të jenë katër shtetasit e arrestuar. Ndërsa, policia ka sekuestruar automjetin në cilësinë e provës materiale. Pas marrjes në pyetje të punonjësit të policisë, janë gjetur edhe tre personat e tjerë që kanë kryer vjedhjen e autoveturës në fjalë. Arrestimi i tre personave të tjerë ka përfunduar rreth orës 01:30 pas mesit të natës. Dëshmitë e tre personave të tjerë kanë zbardhur detajet e vjedhjes së autoveturës, e cila ka qenë e parkuar në rrugë në afërsi të banesës së pronarit të saj Neim Zeqiri. Ky i fundit, banor i qytetit të Tiranës është paraqitur në dyert e komisariatit të policisë, ku ka denoncuar zhdukjen e automjetit të tij tip "Volsvagen". Sipas tij, vjedhja është kryer në orët e vona, në kohën që automjeti ishte i parkuar në rrugë. Ndërsa ka dalë nga banesa për të lëvizur ai nuk e ka gjetur makinën e tij, duke iu drejtuar efektivave të policisë për ndihmë. Menjëherë pas marrjes së denoncimit efektivat e policisë e kanë dokumentuar ngjarjen, ndërsa kanë nisur punën për identifikimin dhe kapjen e autorëve. Por vetëm një ditë më parë, policia e Durrësit në bashkëpunim me atë të Tiranës, ka bërë të mundur gjetjen e automjetit i cili ishte në pronësi të efektit të policisë, pikërisht shtetasit Martin Arrëza. Ka qenë ky momenti ku forcat e rendit kanë ndaluar këtë të fundit, ndërsa e kanë shoqëruar për të komisariatin e policisë, ku dhe ka dëshmuar në lidhje me origjinën e mjetit. Pasi është vjedhur, kjo autoveturë është shitur tek punonjësi i policisë kundrejt një çmimi të leverdisshëm për të. Hetimet janë shoqëruar në bashkëpunim edhe me strukturat e kontrollit të brendshëm në Drejtorinë e Policisë së Tiranës, të cilat kanë marrë në pyetje efektivin e policisë. Pas kësaj ngjarjeje, ai është arrestuar dhe aktualisht ndodhet në ambientet e paraburgimit në Durrës. Ndërkaq, Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Durrës ka filluar hetimet për veprën penale të vjedhjes në bashkëpunim ndaj katër personave të mësipërm.

Email This Klikime: 7

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›