E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjirokastër, 10 % e popullsisë e papajisur me pasaportë

Rreth 10% e popullsisë së përgjithshme të Bashkisë së Gjirokastrës, rezulton të jetë e papajisur me pasaportë. Ky numër është zbuluar pas verifikime të njëpasnjëshme të qytetarëve nëpër lista me rastin e fushatës së nisur për pajisjen me kartat e reja të identitetit. Sipas të dhënave që ka servirur Institucioni i Prefektit të Gjirokastrës, vetëm në qytetin e Gjirokastrës, janë identifikuar 3300 shtetas, të cilët nuk kanë pasur apo nuk kanë aplikuar më parë për të pasur një pasaportë ndërkombëtare. Ndërkohë që ky numër në rang qarku është 17 mijë persona. Procesi i pajisjes me karta identiteti sapo ka startuar në Bashkinë e Gjirokastrës, duke qenë njësia e parë vendore në qarkun jugor. Ndërkohë që ky proces pritet të nisë edhe në bashkitë kryesore të qarkut, si në Tepelenë dhe Përmet. Siç dihet, të favorizuar për pajisjen me kartën e re të identitetit do të jetë kontigjenti që nuk ka pasaportë, me qëllim dhënia e mundësisë për ta që të votojnë në zgjedhjet e 28 qershorit. Radhët e aplikantëve nëpër sportelet e Postës Shqiptare në Gjirokastër kanë njohur rritje të jashtëzakonshme saqë është vënë re edhe konfuzion tek aplikantët që kanë marrë kuponin përkatës. Sipas drejtorit të Postës së Gjirokastrës, Shpëtim Puli, procesi i aplikimit nëpër sportelet e këtij institucioni është në nivele të pëlqyeshme dhe vënia në dispozicion e fuqisë punëtore është e garantuar, çka është një shërbim për qytetarët e interesuar për tu pajisur me mjetin identifikues. Bashkia e Gjirokastrës ka vënë në dispozicion një zyrë të posaçme me tre operatorë teknikë duke iu përgjigjur në këtë mënyrë kërkesave të qytetarëve. Të tre operatorët janë trajnuar më parë në kryeqytet për mënyrën e aplikimit të pajisjes me karta identiteti. Bashkia e Gjirokastrës është më e madhja në qark me 35 mijë banorë, ndërkohë që mjaft shpejt në ditët vijuese aplikimi për kartë identiteti do të vazhdojë edhe në njësitë e tjera vendore.   

Email This Klikime: 1

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›