Durrës, kapen me dokumente false, prangosen në port 3 persona
>Tre shtetas kanë rënë në prangat e policisë, pasi kanë tentuar të kalojnë kufirin me dokumente false. Ata kanë synuar për të udhëtuar drejt Italisë me një nga tragetet e linjës Durrës- Bari, por janë arrestuar nga policia kufitare. Kështu, shërbimet e policisë kanë bërë arrestimin në flagrancë për veprën penale të falsifikimit, stampave apo formularëve të shtetasve, Afrim Asipi, 25 vjeç, Ramadan Krasniqi, 39 vjeç, si dhe Valentino Gashi, 27 vjeç.
Arrestimi këtyre shtetasve u bë për arsye se në mbrëmjen e së dielës u kapën nga shërbimet e policisë kufitare të portit të Durrësit, duke tentuar kalimin e kufirit drejt Italisë me dokumente të falsifikuara. Të dyshuarit janë kapur në brendësi të territorit të portit nga forcat blu në momentin e ushtrimit të kontrollit të dokumentacionit. Gjatë këtij kontrolli është konstatuar se shtetasit po tentonin të udhëtonin drejt Italisë me dokumentacion të falsifikuar. Në pranga ka përfunduar shtetasi, Afrim Asipi, 25 vjeç, banues në Shkup të Maqedonisë. Arrestimi i tij u bë për arsye se, ka tentuar të udhëtojë drejt shtetit italian nëpërmjet Portit Detar të Durrësit, duke paraqitur pranë autoriteteve të Policisë Kufitare në terminalin e përpunimit të trageteve një leje qëndrimi italiane në emër të tij, e cila dyshohet të jetë e falsifikuar. Po kështu, në të njëjtën ditë është arrestuar edhe shtetasi Ramadan Krasniqi, 39 vjeç, lindur dhe banues në Rahovec të Kosovës. Arrestimi i këtij të fundit u bë për arsye se është paraqitur pranë autoriteteve të Policisë Kufitare për të udhëtuar në drejtim të shtetit Italian me një pasaportë jugosllave me numër 00110099465 si dhe një leje qëndrimi austriake me numër A 186435798 që i përkitnin një shtetasi tjetër kosovar. Për këtë shtetas nga ana e policisë është bërë sekuestrimi i pasaportës dhe i lejes së qëndrimit me identitet, Gëzim Hoti. Gjithashtu ka përfunduar në pranga edhe shtetasi Valentino Gashi, 27 vjeç, lindur dhe banues në Gjilan të Kosovës. Arrestimi i tij është bërë për arsye se është paraqitur pranë autoriteteve të Policisë Kufitare të Portit të Durrësit për të udhëtuar në drejtim të shtetit italian me një pasaportë jugosllave me vize suedeze të falsifikuar. Mbi tre shtetasit rëndon akuza e "falsifikimit të pasaportave ose vizave".