E Shtunë, 31 Tetor 2026

Korçë, shpërthimi i bombulës së gazit plagos dy vetë

>Bombulat e gazit janë kthyer në një problem serioz në juglindje. Këtë herë ngjarja ka trokitur në lokalin e shtetasit Vladimir Dine, duke shkatërruar gati krejtësisht katin e parë të lokalit, ndërkohë që është dëmtuar krejtësisht një mjet tip benz pronë e të zotit të lokalit. Shpërthimi i frikshëm që ka tronditur banorët e lagjes Shën Triadhë vetëm pak metra larg varrezave publike të qytetit, ka ndodhur rreth orës 10:00 të paradites djeshme. Sipas burimeve zyrtare të policisë, por dhe deponimeve që kanë dhënë në polica okularët që kanë parë ngjarjen, mësohet se shpërthimi ka qenë shumë i fortë. Madje banorët e një pallati fare pranë lokal Dea kanë lënë shtëpitë e tyre të përfshirë nga paniku. Bombula e gazit, e hapur për gatim në lokal, ka krijuar probleme ku tapa e saj ka kërcyer me presion jashtë. Pas këtij momenti, gjithçka është përfshirë nga një shpërthim i shoqëruar edhe me zjarr. Të llahtarisur, personat e pakët për fat të mirë që gjendeshin në lokal kanë dalë jashtë, madje fuqia shtytëse e shpërthimit ka lënë të plagosur dy persona që gjendeshin në brendësi të tij. Albresha Nuredini, 58 vjeçe, banuese në Korçë ka mbetur e plagosur duke përfunduar në spitalin e qytetit, ndërsa është lënduar dhe një tjetër punonjës shtetasi, Edion Lamçe. Madje ky i fundit ka marrë ndihmën e parë në spital dhe më pas ka shkuar në shtëpi. Ka qenë një mjet zjarrfikës që ka bërë të mundur fikjen në kohë të zjarrit, ndërkohë që policia ka nisur dhe hetimet për ngjarjen. Fillimisht është menduar se shpërthimi lidhej me një pikë të tregtimit të gazit të lëngshëm, por ka rezultuar e kundërta. Gjithsesi hetimet vazhdojnë, ndërsa është duke u punuar për siguresën e bombulës së gazit, që ka shkaktuar dhe një dëm të konsiderueshëm material. Policia ka marrë informacionin për pikën e tregtimit të bombulës që për pak ka shkaktuar një tragjedi të vërtetë, ndërsa pritet të çojë për hetim këtë të fundit, nëse ekspertiza do të nxjerrë si përgjegjëse nivelin e sigurisë së kësaj bombule apo në të kundërt pakujdesinë e personelit të lokalit. Pak kohë më parë, një pikë e tregtimit të gazit të lëngshëm ka shkaktuar një zjarr të pazakontë në Korçë, duke u hedhur e gjitha në erë, ndërsa me qindra banorë kanë përjetuar pamje të frikshme duke vënë në rrezik dhe jetën e tyre.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›