E Diel, 1 Nëntor 2026

Durrës, librat antikuarë rrezik nga amortizimi i biblotekës

DURRËS- Biblioteka e Durrësit ruan në arkivën e saj disa libra me vlerë të rrallë, të cilët datojnë nga gjysma e dytë e shekullit të 16-të. Por megjithë kujdesin e personelit të saj antikuarët dhe librat e fondit të albanologjisë ruhen në kushte jo të përshtatshme.
Burime zyrtare nga kjo bibliotekë bënë të ditur se në fondet e bibliotekës ruhen 20 libra antikuarë, mes të cilëve edhe “Historia e Skënderbeut", shkruar nga Marin Barleti dhe botuar në vitin 1568. Në të njejtën arkivë bëjnë pjesë edhe “Doktrina kristiane” (1664) nga Pjetër Budi, "E vërteta e fesë katolike"
(1691) nga Pjetër Bogdani si dhe një sërë veprash me vlera të rralla, kryesisht mbi historinë e shqiptarëve të shkruara nga autorë të njohur të kohës si Johannes de Bussieres, Lorenzo Pignotti, Pouqueville, e deri te Norbert Jokli.
Në fondin e albanologjisë dhe shqipes së vjetër bëjnë pjesë 28 vepra të tjera, kryesisht të autorëve italianë e arbëreshë, si dhe gjermanë, austriakë, shqiptarë dhe francezë.
Librat e rrallë të bibliotekës së Durrësit vuajnë mungesën e mjediseve të përshtatshme. Biblioteka e qytetit bregdetar është themeluar më 10 shtator 1945 dhe 66 vjet pas formimit vazhdon të qëndrojë në të njejtën godinë, e cila zyrtarisht i është rikthyer pronarit të ligjshëm.
Megjithëse popullsia e qytetit është rritur mbi 20 herë ende nuk është ndërtuar një godinë e re e përshtatshme për një qytet me afro 210 mijë banorë.
Ngushtica, lagështira dhe amortizimi i godinës e kanë rënduar gjëndjen e librave të bibliotekës publike dhe mes vëllimeve të rrezikuara bëjnë pjesë edhe kopjet unike të antikuarëve dhe librave të shqipes së vjetër.

(d.b/ATSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›