E Shtunë, 31 Tetor 2026

Viktimë e Trazirave

Nga Express më 15 gusht 2011 në ora 12:12

Në zjarrin që gjatë trazirave në Londër shpërtheu në një depo, është shkatërruar pothuajse e gjithë rezerva e CD’ve të kompanive të pavarura diskografike në Britaninë e Madhe. Shumica e publikuesve të vegjël tani kërcënohen me bankrotim.

Në mesin e shumë CD’ve dhe pllakave gramafonike të cilat u dogjën të mërkurën, në lagjen londineze Enfield, janë edhe publikimet e emrave më të njohur botëror të skenës alternative muzikore, si për shembull Wampire Weekend, The National ose Arctic Monkeys.

Në depon që u dogj gjatë trazirave nëpër rrugët e Londrës u dogj edhe e gjithë rezerva e bartësve të tingujve të kompanisë Pias, e cila bënte distribuimin e publikimeve të mbi 150 shtëpive të pavarura diskografike për tregun e Britanisë së Madhe.

Një katastrofë për komunitetin

"Kjo është një katastrofë për komunitetin e muzikës”, deklaroi Alison Wenham, kryetare e Shoqatës Britanike të Shtëpive të Pavarura Diskografike, menjëherë pas marrjes së lajmit për depon e djegur.

Në 20,000 metra katrorë, sa i kishte depoja e djegur, e cila përkiste kompanisë Sony, përveç disa milionë DVD’ve, CD’ve dhe pllakave, u dogjën edhe shumë lojëra për Play Station, andaj për treg qysh tani janë përgatitur publikime të reja nga prodhues alternativë. Për shtypjen e një sasie aq të madhe të DVD’ve, CD’ve dhe të pllakave të gramafonit nevojiten muaj të tërë. Pasojë e gjithë kësaj do të jetë se shumë edicione të reja do të jenë të qasshme vetëm nëpërmjet shkarkimit në formatin MP3.

Singëll albumi i fundit i grupit Arctic Monkeys, "The Hellcat Spangled Shalala", duhej të dilte në treg më 15 gusht. Por, në vend të një albumi fizik, adhuruesit e grupit do të munden të kënaqen vetëm me MP3 formatin e tij. Edhe kant-autorja alternative, Mara Carlyle, ka humbur gjithë tirazhin e saj si pasojë e zjarrit. Por, ajo frikësohet se kjo katastrofë do të ketë pasoja afatgjate.

Adhuruesit mund të ndihmojnë

"Gjendja është goxha katastrofale. Kam biseduar me njerëz që si pasojë e zjarrit humbën me miliona, në një fushë që nuk mund të mburret se qëndron mbi një bazë të fortë”, theksoi Carlyle.

Zjarri i cili ende nuk ishte fikur plotësit as të premten, vërtet ka sjellë shumë publikues - që për vite të tëra mezi e lidhnin skajin me skaj – buzë bankrotimit. Sepse, përderisa shtëpitë e mëdha të pavarura të produksionit, si puna e Rogh Tradea apo e Domino’s, ende posedojnë sadopak rezerva të tirazheve, të cilat do të mund t’iu ndihmojnë që t’i tejkalojnë disi muajt në vazhdim, për shumicën e produksioneve ‘alternative’ çdo humbje financiare mund të nënkuptojë edhe zhdukjen e tyre nga tregu.

Veç kësaj, këto shtëpi të produksionit shpeshherë janë nyja kryesore ndërmjet grupeve kreative dhe publikut. Mirëpo, në zjarrin e së mërkurës tashmë janë tretur edhe të gjitha rezervat e tirazheve të albumeve që ndodheshin në depo, por edhe të shtëpive legjendare si 4AD apo Beggars Banquet, bashkë me emrat si Bauhaus ose Cockteau Twins. Kompania Pias ende shpreson se me pronarin e depos – me kompaninë Sony- do të arrijë që përmes sigurimit të vihet deri tek ndonjë formë e dëmshpërblimit.

Sony, nga ana tjetër, porosit se është ende herët për çfarëdo vlerësimesh, “sepse në vendngjarje ende po duket vetëm tymi”.

Kështu që duket se procesi do të mund të zgjas me muaj të tërë, që do të thotë se këtë periudhë shumë shtëpi të vogla diskografike nuk do të mund ta mbijetojnë. Pias ndërkohë ka hapur një web-faqe, në të cilën adhuruesit mund të informohen për atë se si mund të ndihmojnë për mbijetesën e shtëpive të tyre të preferuara diskografike.
Policia deri më tani ka kapur tre delikuentë, për të cilët dyshon se e shkaktuan zjarrin në depo.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›